Pas katër humbjeve radhazi, prishtinasit kërkojnë të këndellen ndaj liderit aktual të Grupit B në Ligën e Parë, Vushtrrisë, shkruan Gazeta Olle.
Para kësaj ndeshje, është prononcuar futbollisti i 2 Korrikut, Gent Musa, i cili kërkon maksimumin nga ndeshjet që kanë mbetur deri në fund të stinorit.
“Tash veçse po i afrohemi fazës finale, e ne kërkojmë maksimumin nga ndeshjet që kanë mbetur deri në fund të këtij stinori, sepse vërtetë kjo periudhë që kaluam që prej pushimit të ndeshjeve të kombëtareve e deri tani, nuk ka qenë aspak e mirë, e kjo tregohet nga rezultatet që kemi pasur. Sidoqoftë, tri ndeshje na ndajnë nga fundi, e neve na mbetet që të kërkojmë më të mirën nga të gjitha këto përballje”, ka thënë Musa.
2 Korriku e filloi për mrekulli edicionin e ri në Ligën e Parë, por pësoi rënie drastike në ndeshjet e fundit.
Kryeqytetasit pas 11 javëve pozicionohen në vendin e pestë me 15 pikë në Grupin B. /Gazeta Olle/