Murray –Djokoviq finalja e Miami Open

Ashtu siç edhe parashikohej finalja e Mastersit të Miamit do të diskutohet mes Novak Djokoviq dhe Andy Murray. John Isner dhe Thomas Berdych rezultuan dy rivalë të lehtë për numrin 1 dhe numrin 4 të Botës. Djokoviq do të ketë kështu mundësi të mbrojë titullin në Miami Open dhe të fitojë trofeun e tij të 5-të në turneun që zhvillohet në Florida, këtë të diel për më tepër që ndaj Murray ai gjithmonë ka dhuruar paraqitje spektakolare, madje ka fituar 7 përballjet e fundit direkte ndaj skocezit.

Edhe pse u mbështet fuqishëm nga publiku vendas amerikani John Isner nuk mundi të bënte asgjë përballë Noles që arriti të triumfonte 2-0 me sete në 1 orë e 32 minuta. Gjysmëfinalja mes këtyre dy tenistëve që ishte edhe sfida e 9-të mes tyre me Djokoviq që kryesonte në 8 përballjet e mëparshme 6-2, nisi e baraspeshuar dhe shumë e luftuar.

Të dy tenistët ruajtën turin e shërbimit deri në game-in e 12-të dhe për të përcaktuar fituesin e setit të parë duhej të luhej tiebreak-u. Aty Djokoviq u tregua më i saktë duke fituar 7-3 ndaj Isner dhe gjithë setin 7-6. Vetëm kaq rezistoi tenisti amerikan sepse më pas ndeshja foli e gjitha për numrin 1 të Botës. Në setin e dytë Djokovic e theu dy herë në shërbim 29-vjeçarin nga Karolina e Veriut duke regjistruar shifrat përfundimtare 6-2. Tashmë Nole duhet të masë forcat me Murray. Në Miami këtë të diel do të vihet në skenë finalja e tretë mes tyre