Munishi: Nëse dikush ta prek idaren, është njësoj si me të pasë gjak borxh

Gjyqtari Artan Tahiri e ka lajmëruar në polici rastin për kërcënimet që i ka bërë trajneri i Hajvalisë, Ismet Munishi, pas ndeshjes Hajvalia – Besa (1:3).

Me rastin po merret policia e Kosovës. Tahiri u akuzua rëndë për ndarjen e drejtësisë në këtë ndeshje.

Ismet Munishit nuk është duke i bërë përshtypje fakti ‘polici’. “Unë jetoj prej futbollit dhe me kanun, nëse dikush ta prek idaren, është njësoj si me të pasë gjak borxh. Le të më paraqet në Policinë e Kosovës, KFOR, EULEX dhe NATO. Derisa të zbardhet rasti, nuk do të ndalem”, thotë Ismet Munishi për Gazetaolle.com.

Tutje, Munishi deklaron se Tahiri i ka shumë borxhe. “Ai (Artan Tahiri) me kanun më ka borxh. Përderisa nuk del që ta zbardhë rastin se nga kush ka marrë para, nuk do të dorëzohem. Ai na ka humbur djersën e lojtarëve dhe i ka demoralizuar një klub si dhe investitorët e Hajvalisë”, potencoi Munishi.