Munishi kërkon falje publike

Trajneri i Hajvalisë, Ismet Munishi, ditët e fundit ka lëshuar akuza të rënda në drejtim të presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Munishi kishte deklaruar se Vokrri ka klane të cilat po e dëmtojnë futbollin kosovar.

Munishi është bërë pishman për këto akuza, derisa ka kërkuar falje publike. “Për shkak të futbollit kosovar, si dhe futbollistëve që unë drejtoj, kërkojë falje publike për akuzat ndaj kreut të FFK-së, Fadil Vokrri, të cilit ia kam dëmtuar imazhin në kohën kur më së shumti ka pasur nevojë për përkrahje maksimale pasi që jemi afër pranimit në UEFA dhe FIFA. Unë e dua futbollin e Kosovës deri në atë pikë që ndonjëherë dal edhe nga vetja. Nuk mund të shoh padrejtësi ndaj futbollistëve dhe klubit tim Hajvalia, të cilat kanë qenë të njohura për opinionin. Dënimi që kam marrë me katër muaj mos kryerje të detyrës ka qenë tendencioz dhe më ka tronditur, por ta dini se askush nuk mund të më ndalë në objektivat që kam me klubin. Dua që me këtë rast t’i falënderojë futbollistët për përkrahjen dhe kryesinë e klubit, të cilët më motivuan që të kërkojë falje publike. Fadil, të përshëndes me këngën e ‘Medës’ – ‘M’puç e ki'”, thuhet në letrën e Ismet Munishit të dërguar në redaksinë e Gazetës ‘Olle’.