Munishi i reagon ashpër Lecit: Po mundoheni të fitoni me pisllëqe, ejani luani si burrat!

“Timonieri” i Ballkanit, Ismet Munishi, e ka lëshuar një deklaratë të fortë para superndeshjes së nesërme me Dritën, duel që zhvillohet Suharekë.

Mbrojtësi i Dritës pak minuta më parë e ka dhënë një deklaratë për Zëri.info në lidhje me ndeshjen në fjalë ku ka deklaruar: “Këtë ndeshje e vlerësojmë maksimalisht sepse e dimë se Ballkani e ka një ekip shumë të mirë me një trajner karizmatik (Ismet Munishi) dhe e vlerësojmë maksimalisht. Por, edhe ata e dinë shumë mirë forcën e Dritës dhe vlerat tona dhe nesër do t’i matim forcat se kush është më i fortë. Për fat të mirë nuk kemi mungesa”, deklaroi Lidion Leci para ndeshjes.

Munishi ka reaguar për “Zërin” duke bërë apel që të zhvillohet lojë korrekte.

“Ejani luani si burrat dhe mos u mundoni me gjëra të tjera o Liridon Leci sepse kot e keni. Nëse fitoni me meritë ua urojmë, por jo me pisllëqe siç po mundoheni. Do të ju presim sikurse në Gjilan, por mos u bëni të lig. Kemi respekt për ju, mos e keqpërdorni”, ka reaguar Ismet Munishi.

Ballkani e pret Dritën në një ndeshje ku të dyja skuadrat po “luftojnë” për titullin kampion në këtë edicion.

Si Ballkani ashtu edhe Drita, vijnë në këtë takim pas rezultateve pozitive në xhiron e 20-të ku Ballkani barazoi me Prishtinën në udhëtim me rezultat 0:0, derisa Drita e ‘dërmoi’ Drenicën në Gjilan duke e mposhtur me shifrat 4:1.

Dallimi i këtyre skuadrave në pikë është vetëm një. Ballkani është lider me 41 pikë ndërkohë që Drita është e dyta me 40 sosh.