Munishi i emocionuar nga Suharekasit: Po e shoh se vetëm ata e kanë vlerësuar në maksimum punën time te Ballkani

Pas largimit të Ismet Munishit si kryetrajner i Ballkanit, klubi nga Suhareka nuk po mund ta gjejë formën e duhur në Superligë duke shënuar dy fitore, një humbje dhe një barazim. Ata u eleminuan edhe në kuadër të Kupës së Kosovës nga ekipi i Llapit.

E gjithë kjo situatë ka shkaktuar reagime te “Xhebrailat”, të cilët po e kërkojnë rikthimin e Munishit në Suharekë. Si duket, ata nuk janë të kënaqur me ecurinë momentale të klubit që tashmë po drejtohet nga Blendi Shkëmbi.

Presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi, ishte ai që reagoi duke thënë se ka besim të plotë te trajneri aktual dhe do ta respektojë kontratën e tij deri në fund të sezonit. Ndërsa për tifozët deklaroi se e kanë të drejtën e tyre, dhe nëse dëshirojnë le ta ftojnë Munishin për kafe, e le të vijë në ndeshjen ndaj Drenicës, sepse Ismeti është mik I joni.

I menjëhershëm ishte reagimi i Ismet Munishit i cili i uroi sukses klubit nga Suhareka, e gjithashtu deklaroi se për “Xhebrailat” me kënaqësi kthehet për të pirë kafe sepse nuk i ka borxh askujt.

“Gazeta Olle” e kontaktoi Munishin pas këtyre reagimeve dhe pas komenteve të shumta nga fansat e Ballkanit, dhe në një prononcim të tij ai tha: “Jam përjetësisht falenderues për respektin e tifozëve Xhebrailave dhe mbarë opinionit suharekas, po e shoh se vetëm ata e kanë vlerësuar në maksimum punën time që e kam bërë në Ballkan”, ka përfunduar Ismet Munishi për Gazetën Olle.

Tekniku prishtinas arriti që Ballkanin ta shndërroi në një fuqi në futbollin kosovar, pasi suharekasit edicionin e kaluar i dërgoi deri në finale të Kupës së Kosovës dhe ishte në garë për titullin e kampionit deri në xhiron e parafundit në Superligë. /Gazeta Olle/