Mungojnë ‘yjet’, Radoniqi nuk dorëzohet

Pas shkarkimit të Genc Hoxhës, kryesia e Vëllaznimit e angazhoi Ekrem Radoniqin në postin e trajnerit. Por, kot. Situata në klubin kuqezi lëre që nuk u qetësua, por vetëm sa u përkeqësua. Futbollistët u solidarizuan me ish-trajnerin e tyre, duke e bojkotuar seancën stërvitore. Madje, ata kanë vendosur të mos luajnë fare sot kundër Trepçës ’89, përballë së cilës Vëllaznimi pritet të paraqitet me juniorë.

Ekrem Radoniqit, i vjen keq që futbollistët kryesorë nuk u paraqiten në stërvitjen e së martës. Megjithatë, ai insiston se Kuqezinjtë do të luajnë në tri ndeshjet e fundit me ose pa “yjet” e skuadrës. “Në stërvitjen e sotme (dje) nuk kanë ardhur shumë futbollistë. Shpresoj që situata të normalizohet dhe kryesia ta gjejë një marrëveshje me futbollistët deri para lojës. Nëse jo, jemi të detyruar të luajmë me futbollistë të rinj. Kryesia ka vendosur që ndeshja me 89-shit të luhet”, thotë Radoniqi. “Unë e kam kaluar tërë karrierën në këtë klub dhe nuk munda t’i them jo. Synim yni është që, nëse kompletohemi, t’i shmangemi barazhit. Të shohim se si do të rrjedhin gjërat në ditët në vazhdim”, deklaroi ish-futbollisti gjakovar për Gazetën ‘Zëri’.