Mungesa e hapësirës në FFK, Haxhiu akuzon Komunën e Prishtinës

Para pak ditësh, një delegacion i lartë i UEFA-s dhe FIFA-s vizituan Kosovën me qëllim që të njihen më afër me zhvillimet dhe infrastrukturën e vendit. Kjo e fundit u konstatua se ka ngecje, por premtimet e zyrtarëve të shtetit janë se do të ketë përmirësime.

Megjithatë, atyre nuk iu ka bërë fare përshtypje se në çfarë hapësirash i priti kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, delegacionin ndërkombëtar. Në një zyre të ngushtë u desh të akomodohen shumë persona dhe kjo ishte përshtypja e parë jo e mirë e zyrtarëve të UEFA-së e FIFA-së, shkruan InfoPress.

Lidhur me mungesën e hapësirave, nënkryetari i FFK-së, Bekim Haxhiu pohon se ka kohë që kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës t’ua japë për shfrytëzim një lokacion diku në kryeqytet, por kjo nuk ka ndodhur.

“Që nga viti 2008, FFK ka pasur një plan për rregullimin e zyrave të saj. Kemi bërë me dhjetëra kërkesa në adresë të Komunës së Prishtinës që të na ndajë një lokacion, të paktën 5-10 ari truall, por nuk ka pasur gatishmëri nga ana e tyre”, deklaroi Haxhiu për InfoPress.

“Pas gjithë kësaj, neve tashmë nuk na ka mbetur asgjë tjetër dhe mendojmë se çështjen e zyrave ta rregullojmë me ndërtimin e stadiumit nacional në Bërnicë. Në kuadër të objektit sportiv planifikohet të jenë edhe zyrat e FFK-së”. Haxhiu thotë se aktualisht janë të detyruar që të punojnë në kushte aktuale.

Ai së bashku me dy nënkryetarët tjerë, Agim Ademi dhe Predrag Joviç nuk kanë fare zyre dhe e shfrytëzojnë të kryetarit Vokrri, e cila, megjithatë, është tejet e ngushtë.

Komuna: Nuk kemi marr kërkesë nga FFK-ja

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu ka thënë se nuk është në proces për t’u shqyrtuar asnjë kërkesë e FFK-së.

“Nuk kam njohuri për këtë kërkesë. Te ne nuk është proceduar asgjë. Mirëpo, institucioni në fjalë mund ta iniciojë atë dhe ajo do të shqyrtohet patjetër”, është shprehur Mullafazliu. Vetëvendosje menaxhon me Komunën e Prishtinës që dy vjet, kurse kërkesa e FFK-së është bërë më herët, andaj ajo mund të ketë ngecur kohë më parë për t’u mos u proceduar te pushteti aktual i kryeqytetit.

FFK e varfër si e gjithë Kosova

Edhe një ish-punëtor i FFK-së, dikur kryetar i Komisionit të Garave, Azem Brovina, thekson se stafi i FFK-së nuk e ka komoditetin e mjaftueshëm për të punuar, por situatën nuk e vlerëson si alarmante.

“E gjithë Kosova është e varfër dhe e tillë është edhe FFK-ja. Normalisht, hapësirat janë të ngushta dhe kjo nuk është mirë, por realiteti është i tillë”, deklaroi Brovina, i cili një jetë të tërë ia ka kushtuar sportit. Në kohën kur ai e ka udhëhequr një Komision në FFK, pohon se takimet është dashur t’i mbajnë në sallën e konferencave në Shtëpinë e Sporteve në kryeqytet, pasi nuk ka pasur zyrë të veten. “FFK nuk ka të ardhura të mëdha që të bëjë ndonjë zgjidhje, por besoj se me kalimin e kohës do të ndërmerret diçka edhe në këtë drejtim”, përfundoi Brovina. Ndryshe, i gjithë stafi i FFK-së punon në vetëm katër zyra me hapësirë tejet të vogël. Në rast të pranimit, zhvendosja nga objekti i Shtëpisë së Sporteve është e pashmangshme, pasi duhet të zgjerohet edhe numri i stafit punues.