Federata e Atletikës së Kosovës sot shpërbleu atletët më të mirë të vitit 2021. Në kategorinë e seniorëve te meshkujt më u miri u shpall atleti Muhamet Ramadani, kurse dy pasuesit e tij në vendet dy dhe tre ishin Musa Hajdari dhe Astrit Kyreziu.
Nga femrat në këtë kategori sportistja e vitit 2021 u shpall Gresa Bakrraqi, e ndjekur nga dyshja Albina Deliu dhe Lirije Peci.
Me këtë rast, kryetari i Federatës së Atletikës, Halil Sylejmani tha se është i kënaqur me rezultatet e arritura gjatë këtij viti pot që kërkoi më shumë investime në infrastrukturë për përmirësimin e kushteve për t’i zhvilluar këto aktivitet.
“Si president i Federatës së Atletikës së Kosovës në vitin 2021 së bashku me stafin e federatës kemi bërë më të mirën që juve t’iu ofrohen mundësitë për garim edhe jashtë kufijve tanë. Nga asambleja e Komitetit Olimpik janë siguruar dy përfaqësues në garën e cila është mbajtur në Olimpiadën e viti 2020, do të thotë Olimpiadën e Tokios…E dimë që rezultatet sidomos në atletikë nuk mund të arrihen shumë shpejtë, apo për një natë por na gëzon fakti që po e shohim një përparim në zhvillimin e atletikës. Federata e Atletikës e përkushtuar që edhe në nivelin administrativ, atë të trajnerëve, gjyqtarëve edhe segmenteve të tjera të ngris standardin përmes seminarëve, kurseve dhe formave të tjera për zhvillimin e kuadrove profesionale nëpër klube…Zërin tonë edhe sivjet e ngritëm disa herë me kërkesën për infrastrukturë dhe investime më të mëdha në atletikë. Disa lëvizje i kemi parë, por a janë ato të mjaftueshme, natyrisht se jo. Dua që edhe njëherë të ngris zërin dhe të bëjë apel që mos të harrohen shtigjet e atletikës.”, tha Sylejmani.
Sportistja e vitit, Gresa Bakrraqi tha se ky çmim e motivon edhe më shumë për të punuar që këto suksese të mos ndalen.
“Një vit shumë dinamik, miks ndjenjash, stërvitje, lodhje, ngarkesa, pengesa, humbje, fitore dhe në fund shpërblimi. Ndjehem tej mase e lumtur për shkak se çdo vit unë e filloj me tri qëllime kryesore ku qëllimi kryesor është që unë të përmirësojë rezultatet e mia nga vit që e lam pas, e dyta jam bursiste olimpike, pra të vlerësohem nga Komiteti Olimpik me mundin që e bëjë unë çdo ditë gjatë këtij aktiviteti fizik dhe e treta ishte që unë të fokusohem në disiplinat e mia përkatëse.”, tha Bakrraqi.
Kurse, Muhamet Ramadani u shpreh me këtë rast se vitit 2021 i solli shumë suksese duke fituar katër medalje ndërkombëtare.
“Sa i përket vitit 2021 për mua ka qenë viti më u suksesshëm ku i kam fituar katër medalje ndërkombëtare po flasim ku dy i kam ballkanik. Të parën e kam në Sofje të Bullgarisë ku u shpalla kampion ballkanik me gjyle te gjashtë kilogramëve, pastaj në qershor prapë si kampion ballkanik në Turqi edhe në Estoni ku u bëra kampion i Evropës , për mua deri më tani është ai suksesi më i madh”, tha Ramadani.