Muçiqi: Futbolli i Kosovës tendencioz, nuk po zbatohen rregulloret

Skuadra e Prishtinës e nisi mirë këtë edicion duke fituar në ndeshjen e parë në kampionat, ndaj Vëllaznimit në Gjakovë me shifrat 2:0. Pas këtij takimi, erdhi sfida me Llapin në ‘Digitalb Kupë’ e ku Prishtina u eliminua me shifrat 2:1, derisa në takimin e tretë e mposhti si vendas, Trepçën me shifrat 3:0.

Kujtojmë se ndeshja që çoi shumë ‘pluhur’ ishte ajo me Llapin (u luajt në Podujevë) pasi që u zhvillua në një teren të mbizotëruar nga lloçi. Nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqi rrëfehet në një intervistë për Gazetën ‘Olle’, për rinisjen e edicionit.

Olle: Afrim, si e vlerësoni nisjen e garave në pranverë?

Muçiqi: Është një edicion i rëndomtë. Kampionati nisi mirë kurse ndeshja me Llapin është turpi i futbollit. Asi loje në aso kushtesh, nuk është zhvilluar në 50-vitet e fundit. Ka qenë ndeshje tendencioze.

Olle: Pse po thua ndeshje tendencioze, na sqaroni?

Muçiqi: Ka qenë ndeshje tendencioze, e nuk e di nga kush. Ka qenë ndeshja e vetme që është luajtur në atë ditë, vetëm ajo ndeshje nuk është shtyrë. Kemi miliona raste në botë kur loja nis dhe ndalet. Ne si klub por edhe Llapi, kemi kërkuar që të shtyhet ndeshja por nuk ka dëgjuar askush, nuk ka pasur efekt. Vëzhguesi dhe gjyqtari kanë mundur që mos të lejojnë që të luhet loja në ato kushte. Mendoj se as në shekullin e 15 nuk ka ndodhur diçka e tillë.

Olle: Keni pretenduar titullin dhe Kupën. Ju mbetet Kupa ‘merak’?

Muçiqi: Jo jo, nuk është kushedi se çfarë eventi kjo ‘Ditigalb Kupa’. Jemi të shqetësuar me faktin se futbolli po shkon prapa. Është dashur që të ruhet shëndeti i futbollistëve ndaj Llapit. Ndoshta nuk e dini, por sot e saj dite disa lojtarë janë të infektuar nga lloçi dhe mbeturinat që kanë qenë në stadium. Gjitha ato investime që po bëhen në infrastrukturë e shumëçka tjetër po shkojnë huq, po humb futbolli. Atë ditë ka humbur futbolli me një fjalë. Jemi larg rregulloreve. Nuk po zbatohen rregullohet. Paremdoni, sot dëgjova që janë shtyrë ndeshjet e Kupës, e qfarë moti por mbretëron. Nuk e di, nuk kam koment. 

Olle: Afrim, ditë më parë, ish-trajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani ka deklaruar për gazetën tonë se Prishtina do të tregohej klub i madh po qe se nuk do të luante ndaj Llapit. A ka pasur të drejt Tovërlani sipas jush?

Muçiqi: Nuk i komentojmë njerëzit që nuk janë pjesë e Prishtinës.

Olle: Ti rikthehemi kampionatit. Dy ndeshje, dy fitore…

Muçiqi: Kampionati është i gjatë dhe Prishtina është kandidat për titull si gjithmonë.

Olle: Skuadrat tjera si i komentoni?

Muçiqi: Trepça ’89, Besa e Pejës, Hajvalia dhe Feronikeli që është lider, mund ta ndjekin titullin. Feronikeli nuk është rastësisht në vend të parë por nuk besoj që do ta ruaj edhe gjatë.

Olle: Të dalim edhe te një tjetër çështje, raportet e trajnerit Bylbyl Sokoli dhe portierit Kushtrim Mushica. Është folur shumë se nuk janë aq pozitive. Mushica u zëvendësua në pjesën e parë ndaj Llapit kurse ndaj Trepçës nuk luajti fare…

Muçiqi: Raportet e trajneri me secilin lojtarë janë të shkëlqyera. Është e drejt e trajnerit të vendos se kush luan. Ne nuk i përzihemi asnjëherë.