Muçi flet pas golit të shënuar: Mund të luaj në çdo pozitë

Ernest Muçi është rikthyer të shkëlqejë në këtë fillim të sezonit me Legian e Varshavës teksa mbrëmjen e së premtes rezultoi vendimtar për polakët në triumfin 2-0 ndaj Piast Gliwice.

Ishte pikërisht ish-futbollisti i Tiranës ai që zhbllokoi rezultatin e ndeshjes në minutën e 47-të teksa deri në atë moment, Legia kishte hasur vështirësi me kundërshtarët që qëndronin të reshtuar me forca të shumta në gjysmëfushën e tyre.

Pas sfidës, 21-vjeçari që në këtë takim u aktivizua si një 9 false nga ana e trajnerit gjerman, Kosta Runjaic, u shpreh se mund të luaj në çdo pozicion dhe diçka të tillë e bën në mënyrë natyrale.

“Nga fillimi i këtij sezoni po mundohem të bëj më të mirën për skuadrën dhe dua të vazhdoj të luaj në këtë formë. Ishte një ndeshje shtëpiake nga ato të rëndësishme dhe që duhej fituar, ia dolëm të ruanim edhe portën e paprekur. Duhet të përmirësohemi në çdo ndeshje. Si u ndjeva në rolin e numrit 9? Shumë mirë, mund të luaj në çdo pozicion të sulmit. Jemi me fat pasi kemi një skuadër me lojtarë që dinë të luajnë në shumë pozicione, unë luaj në mënyrë natyrale kudo më cakton trajneri. Një aspekt pozitiv është edhe marrëveshja që kemi me Kapustkan dhe Josue”.

“Në pjesën e dytë, Piast provoi të mbrohej me shumë forca, por çdo kundërshtar e bën këtë ndaj Legias. Kundërshtarët provojnë të mbrohen ndërsa ne mundohemi të kërcënojmë. Për fat gjithçka u zgjidh në pjesën e dytë, skuadrat e mëdha dinë të presin rastet e tyre dhe t’i shfrytëzojnë ato. Ishte pikërisht kjo ajo çfarë bëmë edhe ne”, u shpreh Muçi.

Ky sezon ka nisur më së miri për Muçin që në katër ndeshje të kampionatit me Legian ka gjetur dy herë rrugën e rrjetës ndërsa falë trajnerit të ri, Runjaic por rikthehet në versionin e tij më të mirë pasi gjermani i beson aftësive të sulmuesit.

Kombëtarja U-18 përgatitet për miqësoren e 11 gushtit në Itali, ja lista e lojtarëve të ftuar

Llapi reagon për herë të parë për bllokimin e merkatos, kërcënon me padi