Mrekullia Laçi thyhet në minutat shtesë, Hapoel Beer Sheva përmbysë ndeshjen për tre minuta

Skuadra shqiptare Laçi ka qenë shumë afër të shkaktojë befasi në raundin e dytë të Ligës së Evropës.

Kurbinasit ishin duke udhëhequr 1-0 ndaj Hapoel Beer Sheva nga minuta e 59-të.

Ishte sulmuesi Nwabueze që kaloi skuadrën shqiptare në epërsi pas asistimit nga Xhixha për 1-0.

Laçi e pa vetën shumë pranë kualifikimit, por në minutën e 86-të mbetën me një futbollist më pak në fushë, pas përjashtimit me të kuq të mesfushorit Deliu.

Skuadra izraelite, Hapoeel Beer Sheva arriti të shënonte dy gola të shpejtë në pesë minutat shtesë.

Agudelo fillimisht barazoi gjithçka në 1-1 në minutën e 91-të, ndërsa katër minuta më vonë Varenne shënoi për 1-2.

Kësisoj Laçi si Teuta dhe Renova bëhet skuadra e tretë shqiptare që eliminohet nga garat evropiane ditën e sotme.