Mourinho shpërthen: Kupa e Italisë është turneu më i keq në Evropë

Falë një goli të Paulo Dybala në minutën e 64-të, Roma siguroi një biletë për në raundin çerekfinal të Kupës së Italisë teksa mposhti me rezultatin 1-0, Genoan. Megjithatë, pas sfidës nuk pati kohë për festë, pasi në konferencë për shtyp trajneri i kryeqytetasve, Jose Mourinho nisi polemikat duke u shprehur hapur kundër mënyrës së organizimit të Kupës së Italisë duke theksuar se kompeticioni nuk i mbron skuadrat e vogla që marrin pjesë.

“Do të më pëlqente shumë ta fitoja Kupën e Italisë, e kam fituar një herë këtu në Romë. Por, tashmë do të më pëlqente ta fitoja në Romë me Romën. Gjithsesi, kjo nuk e ndryshon mendimin tim kur them se Kupa e Italisë është turneu më i keq në Europë. Skuadrat e vogla nuk janë të mbrojtura, nuk i jep shpresë atyre që kanë një ëndërr dhe këtu nuk po flas për Romën. Po flas për Torinon që pasi fitoi dhe eliminoi Kampionët e Italisë (Milanin), tashmë i duhet të luajë sërish jashtë fushe. Përse? Sepse në sezonin e kaluar, Fiorentina u rendit më mirë se ata në kampionat”.

“Unë këtë nuk e kuptoj, nëse do të kisha një skuadër më të vogël, unë nuk do të investoja fare për Kupën e Italisë. Përse duhet të motivohem? Të luash jashtë sepse kështu e vendos kalendari, ku është bukuria e këtij kompeticioni? A nuk është bukur të shkosh të luash në fushë të Serisë C në një stadium plot? Ndeshjen e radhës e luajmë ose kundër Cremoneses në shtëpi, ose në Napoli.

“Do të provojmë të fitojmë në të dyja rastet. Mund të ndodhë edhe që të humbasim si në sezonin e kaluar, por nuk ka problem. Të luash në tre kompeticione është e vështirë, të gjithë kërkojnë të fitojnë Kupën e Italisë por ne te Roma synojmë vetëm të fitojmë ndeshjen e radhës”, u shpreh Mourinho.

Arsenali me një tjetër ofertë për Mudryk, tani shumë më e lartë se e para

Prishtina me kontrata profesionale edhe për katër futbollistë të rinj