Jose Mourinho shquhet për mprehtësinë e fjalës. Është i drejtpërdrejtë kur flet dhe mund të ndezë polemika pafund.
Para ndeshjes me Bodo Glimt, skuadër që e turpëroi 6-1 dy javë më parë në Norvegji, trajneri luzitan u pyet edhe për emërimin e Antonio Contes trajner i Tottenhamit për faktin se para se të merrte drejtimin e verdhekuqve, luzitani ka drejtuar pikërisht “Spurs”-at. Mou i doli në mbrojtje bashkatdhetarit të tij Nuno Espirito Santo.
“Mendoj se Antonio Conte është një trajner i mirë, por edhe Nuno Espírito Santo ishte po kaq i mirë. Ai bëri një punë fantastike për katër ose pesë vjet te Wolverhamptoni. Nuk ishte një vit apo disa muaj. Tottenham tani ka një trajner të mirë, por e kanë pasur edhe me Nunon.”
Mourinho, në njëfarë mënyre “shigjeton” drejtuesit e Tottenhamit, që e shkarkuan nga detyra më 19 prill të këtij vitit, dy javë para se të emërohej trajner i Romës.