Mourinho: Burnley na masakroi

Nëse e keni parë filmin “Lost” (Të humburit), zbulimi i fundit i Jose Mourinhos nuk mund të mos iu ketë kujtuar një prej kurioziteteve të atij seriali: numrat e përsëritur që shërbenin për të mos hedhur në erë ishullin. Ndërsa në mendjen e teknikut të Chelsea-t ato shërbejnë për të shpjeguar komplotin e radhës ndaj ekipit të tij.

Ai shfaqet me shënimet e 4 incidenteve të ndeshjes vetëm me minuta, por s’i komenton ato. “Do të më ndëshkojnë nëse u referohem këtyre incidenteve dhe unë nuk dua të pezullohem. 30′, 33′, 43′, 69′”, shprehet portugezi.

“Matiç nuk duhet të kishte reaguar në atë mënyrë? Mos më bëni të qesh se nuk jam në humor. Krahasojini pak krimet e Diego Costas me këto që ndodhën sot. Shkoni në shtëpi dhe shikoni vetëm minutat që u dhashë! Minuta e 69-të lidhet direkt me 30. Normalisht, lojtari, nëse duhet ta quajë të tillë, është i njëjti që bën faullin e minutës së 69-të. Ai, në minutën e 31-të, duhet të ishte në dushe. Unë nuk jam idiot. E kam kuptuar që kur ka nisur kjo histori muaj më parë”, është shprehur i irrituar tekniku portugez.