Racizmi mbetet një nga temat më delikate në botën e futbollit, edhe pse me kalimin e kohës masat ndëshkuese janë ashpërsuar ndjeshëm në përpjekje për ta shuar përfundimisht këtë fenomen negativ. Gjithsesi, rrënjët e tij janë shumë të thella dhe së fundmi janë shfaqur te gjigandët e Bayern Munich të cilët janë detyruar të pushojnë nga puna magazinierin pikërisht sepse është treguar racist me Serge Gnabry dhe Choupo-Moting.
E gjithë situata lidhej me vajzën e magazinierit e cila kishte ardhur në vendin e punës së të atit dhe teksa takoi të gjithë lojtarët, përfshirë edhe Gnabry me Choupo-Moting, babai i saj bëri një koment i cili tërhoqi vëmendjen e të gjithëve.
“Ata të dy mos m’i sill në shtëpi”, ishin fjalët e magazinierit që në këtë formë e ka bërë të qartë se nuk do të pranonte një djalë me ngjyrë për vajzën e tij. Të gjendur para kësaj situate delikate, drejtuesit e klubit bavarez kanë marrë vendimin ekstrem duke larguar nga puna magazinierin pavarësisht viteve të shumta që ai punonte për Bayern, teksa në këtë rast nuk kishte vend për tolerim.