“Mos e ndalni sportin, ilaçin e virusit”, opinioni futbollistik bashkohet kundër vendimit të Qeverisë Hoti

Figura të ndryshme të opinionit futbollistik në vend, kanë kundërshtuar fuqishëm vendimin e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndalimin e aktiviteteve sportive për shkak të pandemisë koronavirus.

Ky vendim nga Qeveria Hoti po shihet totalisht i palogjikshëm, përcjellë Gazeta Olle.

Në rrjetet sociale, trajnerë e futbollistë të ndryshëm kanë shpërndarë një shkrim, ku kundërshtohet vendimi i fundit.

Mos ndaloni sportin-ilaçin e virusit!

Kryeministër – Qeveri e Republikës së Kosovës

Jam i gatshëm në çfardo forme të mbështes vendin tim në luftën kundër virusit Covid-19. Këtë e keni kërkuar që nga dita e parë e deri më sot.

Dhe ne e gjetëm një formë për ta luftuar me ilaçin e vetëm të vërtetë – sportin.

Punuam edhe në kushte vërtetë të rënda por një qëllim e arritëm.

Forcuam imunitetin e fëmijëve dhe i larguam ata nga situata stresuese që po kalonin brenda katër mureve të shtëpisë.

Ju kuptuam edhe juve si institucione që nuk do të keni mundësi të na mbështetni, prandaj nuk kërkuam asgjë për kompenzim.

Të paktën konsiderojeni si një ndër veprimet më të mira gjatë kësaj kohe të vështirë për të gjithë.

Nuk e vlerësuat as këtë, prapë ju kuptuam.

Por tash e keni tepruar dhe nuk mund të ju kuptojmë e as të ju mirëkuptojmë më.
-Si është e mundur që të mbyllni shkollat e futbollit?!…
-Si është e mundur që ju të keni dëshirën të largoni fëmijët nga sporti e ti mbyllni nëpër shtëpitë e tyre, duke parë debatet tuaja të çmendura?!…
-Si ka mundësi që të ndaloni aktivitetin fizik të të rinjëve e në anën tjetër të lejoni që të krijohen parazit nëpër kafeteritë tona ,të mbuluara nga tymi i duhanit?!…
-A është e mundur që ju ta urreni kaq shumë popullin tuaj, rrjedhimisht fëmijët tanë ?!…

Krejt në fund kemi vetëm një lutje. Nëse nuk keni pasur ndonjë njeri të mençur që të ju këshillojë, ne ju kuptojmë, ngaqë jeni të politizuar, aspak profesional e aq më pak meritor aty ku jeni.

Por sa më shpejtë që është e mundur shfuqizojeni këtë vendim si shumë të gabuar dhe të pamenduar mirë.

Po, po, sepse fëmijët në asnjë formë nuk janë e keqja e rreziku, por lumturia e këtij vendi dhe lumturia e të gjithë neve.

Fëmijët janë vetvetja vetëm atëherë kur luajnë.

Andaj lejojini të luajnë.

Kryeministër – Qeveri e Republikës së Kosovës.

Reflektoni?!…”. /Gazeta Olle/