Morina: Kënaqësi të luhet kundër fituesit të Kupës, por Llapin synojmë ta befasojmë duke besuar tërë kohën në djemtë e mi

Padyshim se Ferizaj është njëra nga skuadrat më të organizuara në Ligën e Parë të Kosovës.

Klubi i njohur kosovar po synon rikthimin në elitën e futbollit kosovar, teksa ka shfrytëzuar pushimin para stinorit pranveror për t’u përgatitur në Durrës.

Para ndeshjeve kampionale, ferizajasit i pret një test shumë i vështirë, ku të hënën zhvillojnë ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Kosovës, ndaj Llapit.

Kryetrajneri i Ferizajt, Arbnor Morina ka folur për Gazetën Olle në lidhje me fazën përgatitore të skuadrës së tij, dhe pritshmëritë për ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Kosovës.

“Kemi stërvit prej datës 5 janar dhe 8 dite në Durrës, ku përpos punës tekniko-taktike dhe ndeshjeve kontrolluese, e kemi shfrytëzuar edhe për socializim të shtuar të të gjithë neve brenda grupit”, tha fillimisht Morina.

Tutje, trajneri i bardhekaltërve theksoi se në skuadrën e tij nuk ka pasur lëndime gjatë fazës përgatitore, gjithashtu u tregua shumë mirënjohës për angazhimin e madh të lojtarëve të tij.

“E rëndësishme është që nuk kemi pas lëndime dhe se të gjithë djemtë kane punuar me përkushtim të madh siç ka qenë edhe nga momenti kur e kam marrë drejtimin e ekipit. Për këte i falënderoj dhe e meritojnë një bravo të madhe për angazhim dhe rezultate të cilat i kanë arritur me punën dhe përkushtimin e tyre. Të gjithë futbollistët e kanë pasur minutazhën e duhur përfshi këtu edhe juniorët, te cilët i kemi komponu në ekipin e parë dhe të gjithë kanë dëshmuar kualitetet e tyre”, vazhdoi ai.

Në fund, trajneri i njohur kosovar foli për ndeshjen e 1/8 së finales kundër fituesit aktual të Kupës së Kosovës, Llapit.

“Të hënen luajmë me Llapin fituesin aktual të Kupës, një ekip i kompletuar në të gjitha nivelet, por të cilin synojmë ta befasojmë duke besuar tërë kohën në djemtë e mi. Nuk kemi presion por dëshirojmë të shfaqemi në formën më të mirë dhe të tregojmë lojë të bukur. Llapi është favorit dhe më me eksperiencë por është kënaqësi të luhet kundër fituesit të Kupës”, përfundoi Arbnor Morina për Olle.

Ish-trajneri i shumë skuadrave të njohura kosovare mori drejtimin e Ferizajt pas një forme katastrofale të ekipit, duke e kthyer atë në pretendente për rikthim në Superligën e Kosovës.

“Ujqit” e mbyllën stinorin vjeshtor në Grupin B të Ligës së Parë, në vendin e dytë me 25 pikë, një më pak se lideri, Vushtrria.

/Gazeta Olle/

Reali bën detyrën, mposhtë minimalisht Granadan

Sot mësohet skuadra e fundit çerekfinaliste e Kupës së Kosovës