Morina: Disa lojtarë duhet t’i përshtaten kolektivit, e jo kolektivi atyre

Tri ndeshje, tri fitore. Këto janë rezultatet e fundit që ka arritur Besa e Pejës në tri takimet e fundit, dy në kampionat dhe një në kuadër të ‘Digitalb Kupës’.

Ekipi nga Rrafshi i Dukagjinit, sot në stadiumin ‘Shahin Haxhiislami’ në Pejë, e mundi Ferizajn me rezultat 1:0, në kuadër të javës së 19 të Raiffeisen Superligës.

Trajneri i pejanëve, Arbnor Morina mbetet i kënaqur me pikët e arkëtuara. “Kemi ende punë për të bërë. Duhet thënë se është për çdo lavdat, angazhimi i lojtarëve si në ndeshje ashtu edhe në stërvitje. Por, po na përsëritet prapë mangësia që po krijojmë raste e po konkretizojmë pak, pra në këtë aspekt duhet të përmirësohemi. Njëkohësisht, edhe disa djemve u nevojitet ende kohë që ta gjejnë veten në lojën e Besës, sepse ata duhet t’i përshtaten kolektivit, e jo kolektiv atyre”, ka thënë për Gazetën ‘Olle’, trajneri i Besës, Arbnor Morina.

Besa aktualisht ndodhet e treta me 29 pikë, pesë më pak se lideri Feronikeli (34).