Mobilizohet 13 Qershori

Klubi i femrave 13 Qershori nga Theranda, është mobilizuar mjaft mirë për stinorin pranveror.

Pas arritjes së marrëveshjes me disa futbolliste, trajneri Hamdi Përzhaku shprehet i kënaqur me punën që po bëhet në ekipin e tij. “Stërvitjet e ekipit po shkojnë mjaft mirë dhe mendoj që edhe në pranverë, do të jemi kundërshtarë të fortë për çdo ekip. Jemi duke u përgatitur shumë mirë”, deklaroi Përzhaku për Gazetën ‘Olle’.

Përveç Hamdi Përzhakut, 13 Qershori ka edhe një trajner tjetër, ai është, Rrahman Gegaj. Së fundmi me ekipin është bashkuar edhe golashënuesja Zelfije Bajramaj. “Kam kaluar një operacion në gju, por gjithçka kaloi me sukses. Me mundonte ky lëndim, por përkundër kësaj unë dhashë çdo gjë nga vetja në vjeshtë. Tash jam mirë dhe i jam bashkuar ekipit në stërvitje. Do të jem edhe më e fortë se sa në vjeshtë. Së bashku me bashkëlojtaret e mia besoj që do arrijmë suksese të mëtutjeshme”, deklaroi Bajramaj.

I lumtur me këtë fakt u shpreh edhe trajneri Përzhaku. “Jemi të kënaqur që është rikthyer sulmuesja e ekipit Zelfije Bajramaj. Ajo është një lojtare e rëndësishme për ekipin”, përfundoi Hamdi Përzhaku.