Pas përmbylljes së procesit të kategorizimit, janë nënshkruar memorandumet me federatat sportive për zhvillimin e aktiviteteve të tyre vjetore përgjatë vitit 2024.
Buxheti total për këto memorandume sivjet është rritur për mbi 53% në krahasim me vitin e kaluar, gjersa përfitues janë në total 35 federata, të gjitha ato që janë të licencuara në MKRS.
Shuma e përgjithshme e mbështetjes për federatat sportive është mbi 5.5 milionë euro, ndërsa përveç federatave që kanë qenë në listën e kategorizimit, janë nënshkruar memorandume edhe me federata të sapo licencuara, me qëllim të nxitjes për fillimin e zhvillimit të aktiviteteve të tyre.
Buxheti vjetor i federatave është përcaktuar përmes shumëzimit të pikës nga vlerësimi në kategorizim dhe vlerës së pikës të përcaktuar nga Ministri, e cila sivjet është përcaktuar të jetë 3000 euro për secilën kategori.
Kjo është hera e parë që nënshkrimi i memorandumeve vjetore me federatat sportive është bërë kaq herët, përkatësisht në javën e parë të muajit shkurt, që nënkupton se ato do ta kenë buxhetin në dispozicion shumë më herët se sa në vitet e kaluara.
Nga kjo përllogaritje i bie se Federata e Xhudos do të përfitojë rreth 341 mijë euro, ajo e Hendbollit do t’i fitojë 263 mijë euro, e Volejbollit 255 mijë euro dhe e Futbollit rreth 251 mijë euro.