‘Misioni titull’ fillon me Drenicën

Hajvalia i ka vënë përpara vetës një misonë të vështirë, fitimin e titullit të kampionit, ndërsa ky mision fillon që në ndeshjen me Drenicën.

Mbrojtësi Arbër Prekazi i ardhur  nga Kosova e Vushtrrisë, për ta përforcuar mbrojtjen e Hajvalisë që ishte pika më e dobët në vjeshtë, thotë se Drenica luan futboll të mirë, por hajvaliasit udhëtojnë për fitore.  “Ndeshje mjaftë e vështirë, pasi që Drenica gjithmonë ka treguar futboll të mirë dhe gëzon respekt maksimal nga ana jonë, por kjo nuk do të thotë që ne nuk do të udhëtojmë për të fituar”, tha Prekazi për ‘Gazetën Olle’.

Prekazi i bindur në forcën e skuadrës së tij thotë se fitoret duhet të bëhen të zakonshme për ‘kuqebardhët’.

“Fitoret për ne duhet të bëhen një gjë e zakonshme pasi që kemi ekip shumë kompakt në të gjitha repartet. Mbetet me punë dhe angazhim të tregojmë se jemi pretendenti kryesorë për të fituar titullin me Hajvalinë”.