Veteranët e futbollit të Kosovës dhe Shqipërisë do të zhvillojnë një miqësore më 23 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.
Kjo vëllazërore organizohet me rastin e ditës së lindjes së legjendës Fadil Vokrri dhe do të nisë në ora 19:30, transmeton lajmi.net.
Federata e Futbollit të Kosovës në bashkëpunim me Federatën Shqiptare e Futbollit kanë bërë të mundur organizimin e kësaj ndeshjeje, që do të shohë të zbresin në fushë disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit të dy vendeve në këtë sfidë simbolike për të nderuar legjendën Vokrri.
Kjo është hera e dytë brenda pak muajve që veteranët e Kosovës dhe Shqipërisë zhvillojnë një miqësore, teksa e para u zhvillua më 16 shkurt 2021 gjithashtu në Prishtinë me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.