Ministri Hajrulah Çeku reagon për dhunën në sport: Sulmet dhe gjestet antisportive do të marrin përgjigje të merituar

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka reaguar pas ngjarjeve jo sportive në takimin mes KB Ponte dhe KB Peja.

Ndeshja mes këtyre dy ekipeve u ndërpre për shkak  të konfliktit në fushë mes lojtarëve të të dyja klubeve.

Në lidhje me ngjarjen e sotme ka reaguar edhe ministri i sportit, Hajrullah Çeku duke thënë se sulmet fizike do të marrin përgjigjen e merituar.

“Shqetësuese janë ngjarjet nga takimi i sotëm basketbollistik mes KB Ponte dhe KB Peja në Prizren, i ndërprerë me vendim të gjyqtarëve. Por, nuk do të kalojnë pa adresim të përgjegjësisë dhe marrje të masave. Sulmet fizike, fyerjet e veprimet tjera anti-sportive do të marrin përgjigjen e merituar”, ka shkruar Çeku në Facebook.

Ai gjithashtu ka thënë se presin raportin e Policisë në lidhje me rastin dhe do të takohet nesër me Federatën e Basketbollit të Kosovës.

“Jemi duke i grumbulluar të gjitha informatat për incidentin. Për nesër (sot) kam ftuar në takim Federatën e Basketbollit të Kosovës, ndërsa të ënjtën do të ftojmë takimin e Këshillit kombëtar për parandalimin e dhunës dhe dukurive negative në sport. Ndërkohë presim edhe raportin e Policisë së Kosovës për rastin”, ka përfunduar Çeku.