Miloshi i Prishtinës

Klubi më i madh në Kosovë, Prishtina në këtë edicion e ka transferuar në ekip, një futbollist nga Mali i Zi.

Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Milosh Miloviq, i cili po shkëlqen në fanellën e Prishtinës në këtë edicion.

‘Sovrani.info’ e ka realizuar një intervistë të gjatë 20-vjeçarin, i cili rrëfen përvojën kosovare. 

Për ata që nuk ju njohin, kush është Milosh Miloviq?

Miloviq: Kam lindur më 22.12.1995 dhe vije nga Mali i Zi, i lindur në Herceg Novi, aty edhe ku kam filluar hapat e parë në futboll. Kam luajtur për një ekip lokal deri në moshën 13-vjeçare, nga ku pastaj kam kaluar në Mogren të Budvës. Këtu, si 15-vjeçar kam arritur të bëhem titullar, ndërsa si 16-vjeçar vetëm se kam filluar të luaj në Ligën e Parë të Malit të Zi.

Kam pranuar ftesën e përfaqësueses së Malit të Zi për grupmosha, me çka kam fituar edhe më shumë përvojë për vazhdim të karrierës. Në verën e vitit 2014 jam njohur me menaxherin e tanishëm, Rudi Vata i cili ka bërë shumë për mua dhe pasi që atë vit Mogrenin e kishte kapluar kriza, më kishte dërguar në Finlandë, në klubin Honka ku trajner ishte bashkatdhetari juaj, Shefki Kuqi. Aty kam luajtur një gjysmë-sezon dhe kam arritur përvojë të madhe, si në futboll ashtu edhe në jetë. 

Si u bë qe te vini te Prishtina?

Miloviq: Kur jam kthyer në Mal të Zi nga Finlanda, menaxheri im, pra Vata, më mori me vete në Skoci tek skuadra Aberdeen ku edhe më ofruan kontratë, por për shkak dokumenteve nuk asnjë mundësi të qëndroja askund në Britani të Madhe dhe aty më kanë kaluar gjashtë muaj pa luajtur fare. Pastaj, sërish kthehem në Mal të Zi me qëllim që të gjeja skuadër dhe në marrëveshje edhe me Rudi Vatën arrita në Prishtinë.  

A keni dëgjuar më parë për Prishtinën, nëse po, çka dini për këtë ekip?

Miloviq: Kisha dëgjuar për Prishtinën edhe më parë nëpërmjet disa ndeshjeve që kishin luajtur në ish-ligën e parë federative. 

Si ju kanë pritur lojtarët dhe tifozët?

Miloviq: Nga dita e parë që kam ardhur, bashkëlojtarët kanë qenë maksimalisht korrekt dhe mjaft shumë më kanë ndihmuar që të ambientohem. Për tifozët kam vetëm fjalë të mira dhe u jam falënderues, sepse me të vërtetë tregojnë se si duhet një klub dhe po ashtu më kanë pritur maksimalisht korrekt duke më bërë të ndjehem si të isha shumë vite në klub. 

Cili është dallimi i futbollit te Kosovës me Malin e Zi?

Miloviq: Mendoj që nuk ka shumë dallim ndërmjet Ligës së Malit të Zi dhe Kosovës, mund të them lirshëm dhe me shumë siguri, se janë shumë të ngjashme. 

A keni mësuar ndonjë fjalë shqip?

Miloviq: Po, kam mësuar aq mjaftueshëm sa mund të kuptoj kur tjetri flet, por në shumicën e rasteve, kuptohet, flas anglisht me lojtarët.

Cili është shoku juaj më i mirë e ekip?

Miloviq: Mund të them që kam disa shokë të mirë në klub, por duhet ta përmend Liridon Kukajn, i cili mjaft shumë më ka ndihmuar kur kam ardhur . Ai e flet serbishten dhe kur më duhej diçka, gjithmonë më gjendej pranë. Kurse, më së shumti kohë kaloj me Dren Gashin, Endrit Krasniqin, Alban Muçiqin dhe mund të them lirshëm se këta janë shokët më të mirë të mitë në klub.

Sigurisht se e dini se kapiten i Malit të Zi në ndeshjen e fundit, ishte kosovari Fatos Beqiraj…

Miloviq: Nuk kam pasur rastin ta njoh personalisht, por e kam ditur se kush ishte dhe se vinte nga Kosova dhe e kam parë duke luajtur sa ishte në Buduçnost, por edhe në Dinamo.