Milionat e Mayweather

Jo më kot ai mban nofkën “Money Man” ose thënë shqip, “Njeriu i parave”. Pak kohë më parë revista prestigjoze “Forbes” e cilësoi sportistin më të ardhurat më të mëdha pasi gjatë vitit të fundit ka fituar plot 300 milionë Dollarë. Bëhet fjalë për Floyd Mayweather Jr. i cili pozon me krenari përpara pikturës që tregon gjithë madhështinë e xhepave të tij pas sukesit të arritur në përballjen e shekullit kundër Manny Pacquiaos.

Piktura që pasqyron suksesin financiar të boksierit amerikan është vendosur në muzeun Mob të Las Vegasit. Gjithsesi ky mesa duket është vetëm fillimi i një viti tjetër ku Mayweather pret të arkëtojë edhe më shumë sepse në një postim në rrjetet sociale ai shkruan: “Forbes, viti tjetër sapo ka filluar”. Një premtim që “Money Man” duhet ta mbajë pasi ai ka paralajmëruar se gjatë 2015-ës do të zhvillojë edhe përballjen e fundit të karrierës, çka do të bëjë që të ardhurat nga sfida e radhës të jenë stratosferike.