Miliardat e Bundesligës

Gjermania është lokomotiva e Europës në ekonomi, por tashmë mund të konsiderohet dhe lokomotiva e kontinentit dhe në planin futbollistik. Kampionati me numrin më të lartë të spektatorëve në botë për ndeshje në stadium, jo vetëm që është taksa paguesi më i madh i shtetit gjerman por gjithashtu është dhe kampionati më fitimprurës në mbarë globin, jo vetëm për Ligën që e drejton por gjithashtu dhe për klubet.

Fitimet e Bundesligës brenda një viti arrijnë në 1.7 mld euro, prej të cilave 424 mln euro pëfitohen nga arkëtimet e biletave më e larta në botë, 573 mln euro nga sponsorët dhe 594 mln euro nga e drejta televizive duke qenë aktualisht i vetmi kampionat ku klubet kanë bilance pozitive.

Bundesliga mban gjithashtu rekord dhe për numrin e punëtorëve, teksa kompania që udhëheq kampionatin gjerman numëron plot 47 mijë nënpunës.

Gjithashtu menaxhimi i shkëlqyer financiar ka bërë që klubet gjermane të përfitojnë jashtëzakonisht shume dhe nga sponsorët në arenat e tyre, teksa Bajerni i Mynihut 55 % e të ardhurave vjetore i siguron nga kontratat me sponsorët e ndryshëm, plot 18 përqind më shumë se klubi më fitimprurës në Angli, Manchester United.

Gjithashtu fitimi i titullit botëror nga kombëtarja gjermane dhe brezi i talentuar i futbollit në vend nuk është një rastësi, pasi Bundesliga është kampionati që shpenzon më shumë për skuadrat e moshave, teksa 75 milion euro harxhohen cdo vit për akademitë e skuadrave të moshave të Bundesligës së 1 dhe të dytë.

Të gjitha këto investime të mirëmenduara të gjermanëve, kanë bërë që Bundesliga të jetë aktualisht kampionati më fitimprurës në kontinent por gjithashtu dhe më i rivalizuari pasi në 10 vitet e fundit, në Gjermani titulli është fituar nga pesë skuadra të ndryshme, ndërsa në Angli nga 4 dhe në Spanjë nga 3.