Milani tashmë është shitur

“Berlusconi më ka rrëfyer se çfarë do të bëjë me Milanin, por nuk mund të flas. Do ta zbuloni në fund të kampionatit, besoj”.

Kështu është shprehur për një emision radiofonik presidenti i rajonit të Lombardisë, Roberto Maroni, një tifoz i madh i kuqezinjve.

“I kam kërkuar padronit kuqezi nëse do ta shesë Milanin dhe më ka kthyer përgjigje. Por më ka thënë të mos hap gojën, sepse nëse flas do të shkelja një premtim të dhënë. Megjithatë, mund të them se jam shumë i kënaqur në lidhje me projektin për të ndërtuar stadiumin e ri në Portello, edhe pse ka pasur shumë protesta, gjë që është e natyrshme. Dua të them se mbështes deri në fund këtë projekt”.

Lajmi në fakt është raportuar nga ANSA, agjencia e lajmeve me seli në Romë, e interesuar në lidhje me temën kryesore të shtëpisë së Milanit gjatë kohëve të fundit, apo më saktë pankinën e Pippo Inzaghit. Por, rrjedhimisht është mësuar edhe diçka tjetër ende e pazbardhur tërësisht. Do ta shesë apo jo Berlusconi Milanin?

E vërteta, sipas kryebashkiakut Maroni do të mësohet në fund të sezonit, por nga sa mësohet, idea e presidentit kuqezi është që të kërkojë partnerë për të rikthyer klubin kuqezi në nivelet më të larta. Ndoshta duke nisur nga ndërtimi i stadiumit, për të vijuar më pas me përforcimin e skuadrës… Por gjithçka flitet ka të bëjë me kërkimin e investitorëve, të cilëve do t’iu shesë një pjesë të aksioneve dhe jo mazhorancën e Milanit.

Gjithsesi, ka edhe zëra se “Milani tashmë është shitur”, madje kjo thuhet në qarqet mediatike me opinionistë tepër të shquar, të cilët flasin në vetë të parë. Por fjalët e presidentit të rajonit të Lombardisë mohon gjithçka dhe asgjë.