Milani në superformë, sonte përballet me një prej rivalëve kryesor

Ekipi i drejtuar nga trajneri Stefano Pioli nuk di të ndalet dhe pasi fituan në derbin e Madoninës kuqezinjtë triumfuan edhe brenda në Glasgow ndaj Celtic-ut, në Europa league.

Radhën në kalendar e ka Roma dhe jo më kot edhe dueli më i fortë i javës së pestë është programuar për t’u luajtur ditën e hënë.

Me të drejtë Milani konsiderohet si ekipi më në formë dhe për hirë të së vërtetës kishte plot çerek shekulli që kuqezinjtë nuk i bënin një fillim kaq të mirë kampionatit të Serisë A.

Për herë të fundit Milani i kishte fituar katër sfidat e para në kampionat 25 vjet më parë, pikërisht në kohën kur klubi drejtohej nga i madhi Fabio Capello.

Emërimi në kohë të plotë i trajnerit Stefano Pioli, por sidomos rikthimi i Ibrës te Milani kanë sjellë një ndryshim rrënjësor te kuqezinjtë.

Që nga mbërritja e 39-vjecarit me origjinë boshnjake, tetë muaj më parë, Milani është pikërisht klubi italian që ka grumbulluar më shumë pikë në Serinë A, sepse që nga muaji janar kuqezinjtë kanë fituar 13 takime, barazuar 5 dhe humbur vetëm 2 ndeshje gjithsej.

Te Milani do të mungojnë Musacchio dhe Rebic, ndërsa në krahun tjetër Fonseca nuk ka në dispozicion lojtarë si Zaniolo, Pastore e Diawara, ndërkohë Calhanoglu dhe Chris Smalling vazhdojnë të kenë probleme fizike.

Klasikja Milan – Roma do të luhet në orën 20:45 në Stadiumin San Siro, ku kuqezinjtë kanë fituar edhe dy përballjet e fundit ndërmjet tyre në kampionat dhe do të drejtohet nga kryesori Piero Giacomelli.