Milaim Rama e heq merakun e jetës, e bija e tij, Alketa i bashkohet Kosovës

Milaim Rama, tani 46-vjeç, e kishte një karrierë të përkryer si futbollist. Ai ishte shqiptari i parë që kishte luajtur për Zvicrën e po ashtu ishte bërë futbollisti i parë shqiptar që kishte luajtur në një Kampionat Evropian.

Por, një ëndërr i kishte mbetur e parealizuar – nuk kishte mundësi ta veshte edhe fanellën e Kosovës. E këtë “boshllëk” tani sadopak po e mbulon vajza e tij. Alketa Rama gjatë javës pritet të debutojë me Kombëtaren A të Kosovës. Duke folur për Gazetën Express, Milaim Rama shpreh krenari të hatashme për këtë të arritur të bijës së tij. E vet Alketa është po aq e lumtur sa babai i saj.

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave po i zhvillon përgatitjet në Kampin Nacional në Hajvali të Prishtinës në prag të dy ndeshjeve miqësore që do t’i zhvillojë kundër Maqedonisë së Veriut, të premten në Shkup dhe të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Për këto dy ndeshje përzgjedhësja e Kosovës, Karin Anneli Andersen, në skuadrën “Dardane” për herë të parë e ka ftuar edhe futbollisten e Zurichut, Alketa Rama, e cila para se t’i bashkohet Kombëtares A ka luajtur edhe për ekipet U-17 dhe U-19 të Kosovës.

Por, më shumë se Alketa Rama që e ka marrë ftesën nga Kosova duket të jetë gëzuar Milaim Rama. Ish futbollisti i famshëm kosovar është babai i Alketës. Familjarisht jetojnë në Zvicër qysh moti.

Milaim Rama ishte shqiptari i parë që kishte luajtur për Kombëtaren e Zvicrës. Gjithashtu, ai ishte bërë edhe shqiptari i parë që kishte marrë pjesë në një Kampionat Evropian kur ishte paraqitur me “Helvetikët” në “Euro 2004” në Portugali.

Rrethanat e asaj kohe as që e vinin në konsideratë mundësinë e angazhimit të Ramës në Kombëtaren e Kosovës, e cila në atë kohë ishte nën izolim të plotë nga futbolli ndërkombëtar. Madje, Rama konsiderohej si një “ambasador” i Kosovës apo përfaqësues i vetëm i shqiptarëve në Kampionat Evropian duke u paraqitur atje përmes Zvicrës.

Sot Milaim Rama është 46-vjeç. Ai ka lidhje të ngushtë shpirtërore dhe fizike me të dyja vendet, Kosovën dhe Zvicrën. Por, kurrë nuk e fsheh ëndrrën e parealizuar për të luajtur për Kosovën, siç nuk e fsheh kënaqësinë që kishte luajtur për Zvicrën.

E tani kur vajza e tij, Alketa, po e pret debutimin me Kombëtaren A, Rama ndihet prindi më i lumtur ndoshta në botë.

Në një bisedë me Gazetën Express, Milaim Rama thotë se vajza e tij sadopak po ia heq merakun që e kishte vet ai për ta veshur fanellën e Kosovës.

“Është një moment krenarie kur vajza ime arrin ta përfaqësojë vendin e prindërve dhe paraardhësve të vet. Alketa ka luajtur edhe për Kosovën U-17 dhe U-19, por përfshirja e saj në Kombëtaren A është diçka fantastike jo vetëm për vajzën, por edhe për mua si prind i saj, sidomos si një ish futbollist që i ndjej pak më ndryshe këto momente”, ka deklaruar Rama.

“Unë nuk e kam pasur këtë mundësi që ta veshi atë fanellë. Kam marr pjesë njëherë në një grumbullim, kur selektor ishte Edmond Rugova, në atë ndeshjen e organizuar me yje nëse ju kujtohet. Atëherë ishte një ndjenjë shumë emocionale për mua. Përndryshe, rrethanat e asaj kohe nuk më kishin krijuar mundësi ta veshi atë fanellë të Kosovës, por tash do ta vesh vajza ime dhe kjo nënkupton krenari jo vetëm për vajzën, por edhe për mua si prind i saj”, thotë Rama.

Ai shpreson që Alketa t’ia kënaq shpirtin atij si prind i saj dhe si një ish futbollist duke e dhënë maksimumin për Kosovën. “Unë i uroj shëndet vajzës time, natyrisht edhe shoqeve të saj të ekipit, dhe uroj që kjo të mos jetë ftesa e parë dhe e fundit për Alketën nga Kombëtarja A. Shpresoj dhe uroj që vajza ime të marrë ftesa meritore edhe në të ardhmen duke e dhënë më të mirën nga vetja për atë fanellë të bukur”, u shpreh Rama.

E vet Alketa Rama, e lindur dhe e rritur në Zvicër, ndihet e lumtur po aq sa babai i saj që pritet të debutojë me Kombëtaren A. Ajo i kishte thënë “Po” Kosovës kur ishte ftuar në grupmoshat e reja pa menduar dy herë sepse ishte mësuar nga babai i saj që ta vë në dispozicion karrierën e saj për vendin e origjinës.

“Jam shumë e lumtur që më është dhënë mundësia të luaj për Kombëtaren A. Kjo më ka motivuar dhe shpresoj ta tregoj veten. Pamundësia që babai im të luaj për Kosovën është shndërruar në diçka motivuese për mua. Babin e kam idhull dhe do të mundohem ta bëj krenar. Ai është mbështetësi im më i madh, në çdo hap timin”, ka deklaruar Alketa Rama.

Futbollistja e Zurichut tregon se në kampin e Kosovës është pritur shumë mirë, derisa nuk e fsheh optimizmin për suksese.

“Në grumbullim po kaloj shumë mirë, shoqet më kanë pritur shumë mirë dhe me respekt. Po ashtu edhe me trajneren jam shumë e kënaqur, po mësojmë shumë nga ajo, kështu që është krejt e natyrshme të besojmë në sukses”, theksoi mesfushorja ofensive.

Para pak vitesh Alketa Rama ishte ftuar në grupmoshat e reja të Zvicrës, por ajo nuk kishte qëndruar gjatë tek ekipi helvetik pasi zemra i thoshte të shkojë te Kosova.

Kërkohej nga skuadra e madhe e Superligës, Seferaj vazhdon karrierën në këtë klub

Kelmendi pas rinovimit me Gjilanin: Nuk mendova dy herë për të qëndruar këtu