Mevlan Zeka tregon se kush janë rivalët e Ballkanit dhe flet për ndeshjen me Dritën

Ballkani vazhdon të mbetet lider i padiskutueshëm i Superligës së Kosovës në futboll edhe pas javës së gjashtë, përcjellë Gazeta Olle.

Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi është në një ecuri fantastike të rezultateve gjë e cila është shpërblyer me vendin e parë dhe me një distancë prej gjashtë pikëve me vendin e dytë, aty ku gjendet Drita.

Por, Ballkanin e pret një “test” tejet i vështirë në mesjavë pasi që e pret në shtëpi kampionin në fuqi, Dritën që këtë javë barazoi 0-0 në derbin kundër Gjilanit.

Futbollisti i “portokallinjëve”, Mevlan Zeka në një bisedë me “Zeri.info” ka treguar se ata duan të vazhdojnë me rezultate pozitive pasi që sipas tij ata kanë një skuadër me lojtar cilësor dhe me përvojë.

“Po ne jemi të kënaqur me formën e gjithë skuadrës dhe duhet të vazhdojmë ecurinë e rezultateve pozitive, kemi një skuadër me lojtar cilësor me përvojë dhe të rinjë të talentuar vërtet një miks i fuqishëm dhe jemi të gatshëm për çdo ndeshje”, tha Zeka.

Gjatë bisedës, i pyetur se cila nga skuadrat është rivali kryesor i Ballkanit për titullin e më të mirit, ai u tregua i matur duke mos e ndarë asnjërën nga kandidatët.

“Mendoj që Ballkani, Prishtina, Drita, Gjilani do te luftojne deri në fund”, vazhdoi ai.

Kurse, për ndeshjen e të mërkurës, Zeka tha se ndeshja me Dritën do të jetë e fortë, por ai ka një paralajmërim.

“Të mërkurën do të përballemi me Dritën, një ndeshje e fortë dhe besoj në skuadrën tonë që do të dalim faqe bardhë nga kjo sfidë”, përfundoi Mevlan Zeka.

Ndryshe, Zeka ishte njëri nga përforcimet e ardhura këtë verë te Ballkani.