Messi fantastik, Barca merr fitore të madhe te Sevilla

Barcelona ka fituar në udhëtim te Sevilla me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në La Liga.

Ekipi i Ronald Koeman ka vazhduar serinë pozitive dhe ngjitjen në tabelë, duke siguruar një fitore të madhe në Ramon Sanchez Pizujan.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të katalunasve, të cilët përkundër rasteve të shumta arritën të shënojnë vetëm një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 29-të dhe ishte Ousmane Dembele, i cili shënoi për 0-1 pas asistimit të Lionel Messit.

Në pjesën e dytë u zhvillua lojë thuajse e barabartë, me të dyja skuadrat që patën rastet e veta për gol, por edhe kësaj radhe shënoi vetëm Barcelona.

Ishte kapiteni i skuadrës Messi, i cili shënoi për 0-2 pas një aksioni të mirë të mysafirëve dhe ky doli të ishte goli i rezultatin përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Barcelona ngjitet në pozitën e dytë me 53 pikë apo dy më pak se Atletico Madridi i pari, ndërsa Sevilla zë vendin e katërt me 48 pikë.

Në ndeshjen e radhës, katalunasit udhëtojnë te Osasuna, ndërsa andaluzianët luajnë në udhëtim te Elche. /Gazeta Olle/