Nderim Nexhipi nuk do të jetë më pjesë e Ballkanit.
Kampionët e Kosovës kanë njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se kanë ndërprerë bashkëpunimin me drejtorin sportiv, i cili mbante këtë post prej rreth dy vitesh.
Nexhipi pati një rrugëtim fantastik me Ballkanin, duke fituar 2 tituj kampion, e njëkohësisht klubi nga Suhareka u bë e para skuadër Dardane që mori pjesë në fazën e grupeve të Conference League.
SuperSport mëson se shkak i divorcit mes palëve është bërë një ofertë mjaft e mirë pune për Nexhipin, që do të bëhet drejtor sportiv i klubit turk të Manisaspor.
Kjo do të jetë një eksperiencë fantastike për Nexhipin si drejtor sportiv, ndonëse në Kategorinë e Parë turke, teksa prezantimi zyrtar pritet të bëhet të shtunën në ambientet e klubit.
Nderim Nexhipi ka pasur një karrierë mjaft të suksesshme si futbollist, duke veshur fanellat e skuadrave të njohura si Hertha e Berlinit e Wolfsburg në Gjermani, por edhe Partizani, Flamurtari e Shkëndija.
Si drejtor sportiv, Nexhipi e nisi karrierën te Kukësi, teksa në verën e 2021-shit mori përsipër projektin për ngritjen në nivelet më të larta të klubit të Ballkanit, objektiv që e realizoi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shkruar historinë me atë skuadër.