Mesjava vjen me ndeshje të rëndësishme në basketbollin e Kosovës

Në mesjavë do të zhvillohen ndeshjet e dyta gjysmëfinale të “play-off”-it në Ligën e Femrave dhe në Ligën e Parë të Meshkujve.

Kështu, basketbollistet e Prishtinës pas fitores ndaj Trepçës në duelin e parë të luajtur në fundjavën që e lamë pas në kryeqytet, udhëtojnë të motivuara që të kryejnë punë në Mitrovicë dhe kështu të renditen në finalen e madhe. Ndeshja e dytë, Trepça – Prishtina do të zhvillohet të mërkurën në palestrën “Minatori” me fillim nga ora 17:30.

Ndërkohë gjysmëfinalet e dyta të “play-off”-it në Ligën e Parë të Meshkujve do të zhvillohen të martën dhe të mërkurën.

Të martën, Kosova e Vushtrrisë e pret Dritën me fillim nga ora 20:15, ndërsa të mërkurën AS Kastrioti është nikoqir i Rahovecit, ndeshje kjo që do të luhet në palestrën në Therandë duke filluar nga ora 19:00.

Në duelet e para fitore kanë regjistruar, Drita dhe Rahoveci. Ekipet që regjistrojnë dy fitore plasohen në finale.