Mesfushori shqiptar, Lindon Selahi transferohet te Rijeka

Mesfushori 22-vjeçar i Kombëtares Shqiptare, Lindon Selahi ka zgjedhur Kroacinë për të vijuar karrierën, pasi është transferuar ne NK Rijeka, ku ka bërë edhe prezantimin zyrtar me fanellën e ekipit të tij të ri.

Pas dy sezonesh në kampionatin holandez, ku veshi fanellat e Tëentes dhe Willem II, Selahi nuk ia doli të shndërrohet në titullar dhe tani zgjodhi pikërisht klubin kroat për ta përdorur si trampolinë drejt një lige edhe më të fortë.

Në intervistën e tij të parë si futbollist i Rijekës, Selahi u shfaq mjaft i kënaqur me kushtet që gjeti te klubi kroat dhe tha se mezi pret që të zbresë në fushë e të japë kontributin e tij.

“Fusha është e mrekullueshme. Shkova në stadium sot dhe gjithçka dukej shumë bukur, ndaj mezi pres të luaj para tifozëve të Rijekës. E di që Rijeka ka një histori të gjatë, vitet e fundit ka pasur sukses të madh në gara evropiane dhe jam i lumtur që jam këtu”, tha Selahi.

Mesfushori 22-vjeçar shqiptar zbuloi se e njeh mjaft mirë kampionatin kroat dhe gjithashtu sulmuesin Duje Cop me të cilin ka luajtur te Standard Liezh e tani do ta ketë rival, pasi është pjesë e Dinamos së Zagrebit.

“Si ballkanas që jam, e njoh mirë kampionatin kroat. Gjithsesi nuk ka nevojë për shumë prezantim, pasi mjafton të shohësh që kombëtarja luajti në finalen e Kupës së Botës dhe ka shumë futbollistë cilësorë. Te Standardi kam luajtur me sulmuesin Duje Cop, i cili është te Dinamo Zagreb tani dhe do të takohemi sërish”, tha futbollisti.

Lindon Selahi është një futbollist që mund të luajë në disa pozicione të mesfushës, megjithatë pranon se ndihet më mirë kur luan i avancuar, pasi dëshiron të jetë në kontakt me topin dhe të shërbejë me asiste.

“Unë ndihem më mirë kur luaj i avancuar, pasi më pëlqen të jem në kontakt me topin vazhdimisht. Me këtë terren të shkëlqyer, besoj se do të jap shumë asiste. Kam luajtur për disa skuadra, por tani jam i përqendruar të bëj më të mirën te Rijeka”, u shpreh 22-vjeçari.

Lindon Selahi ka luajtur me përfaqësueset e moshave të Shqipërisë dhe në 2019-ën bëri debutimin me skuadrën e drejtuar nga Edi Reja, në ndeshjen ndaj Moldavisë. Që atëherë Selahi numëron 4 ndeshje me fanellën kuqezi.

Rashani e nis për mrekulli në Francë, debuton me gol për Clermontin (Video)

Ballkani do ta kryej fazën përgatitore në Turqi, zbulohet skuadra e Superligës turke që do të luajnë miqësore