Botosani “fluturon” me Enriko Papën. Mesfushori shqiptar realizoi golin e fitores në suksesin 1-0 të Botosanit ndaj Sepsit në javën e 22-të të ligës së parë rumune, me skuadrën e Papës dhe Filit që falë këtij suksesi u ngjit në vendin e 4-t të renditjes.
Ish-lojtari i Tiranës dhe Lushnjës rezultoi deçiziv teksa i aktivizuar titullar dhe me shiritin e kapitenit në krah, në minutën e 41-të u gjend në vendin dhe në kohën e duhur për të mposhtur portierin e Sepsit dhe për të realizuar golin e dytë në kampionat që rezultoi vendimtar pasi i dha tre pikët ekipit të tij.
Realdo Fili u hodh në fushë vetëm në minutën e 77-të, ndërkohë që Botosani me këtë fitore e sheh veten në vendin e 4-t të renditjes në kuotën e 38 pikëve.
Papa e festoi golin me gjestin që simbolizon të gjithë shqiptarët, atë të shqiponjës dy krenare.