Merret vendimi, Ferizaj eliminohet nga Kupa e Kosovës

Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë ka miratuar ankesën e KF Behar, duke regjistruar ndeshjen e 1/16 e Kupës së Kosovës ndaj Ferizajt me rezultat zyrtar 3-0 në favor të Behar. 

Ndeshja e 1/16 së finales së Kupës së Kosovës ishte mbyllur me fitore 2-3 të Ferizajt, por vendasit ishin ankuar për parregullsi në FFK, pasi futbollisti i Ferizajt, Edon Sadriu ishte aktivizuar përkundër se paraprakisht ishte i ndëshkuar me dy kartonë të verdhë, shkruan Gazeta Olle.

Sadriu edicionin e kaluar me fanellën e Llapit u ndëshkua në gjysmëfinalen e parë ndaj Prishtinës dhe në finalen ndaj Dritës.

Vendimi dhe arsyetimi i plotë nga Komisioni i Garave: 

V E N D I M

Miratohet ankesa e FK Behar e bazuar dhe ndeshja e 1/16 të Kupës së Kosovës në mes të FK Behar – FC Ferizaj, e përfunduar me rezultat 2:3, në favor të FC Ferizaj, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të FK Behar.

ARSYETIM

Komisioni i Garave, me rastin e regjistrimit të ndeshjes FK Behar–FC Ferizaj e vlefshme për  1/16 të Kupës së Republikës së Kosovës, konstatoi se FK Behar ka ushtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes së lojtarit të FC Ferizaj: EdonSadriu me nrlic dhe nr ID 000542M97, për shkak se lojtari është aktivizuar në ndeshje pasi që paraprakisht ishte i ndëshkuar me kartonë të verdhë.

Gjatë administrimit të ankesës dhe shkresave të tjera nga ana e Komisionit të Garave u konstatua se: Ankesa është e afatshme, e lejuar e taksuare dhe i përmbush të gjitha kushtet për shqyrtim dhe shtjellim nga Komisioni i Garave.

Pas shikimit të protokolleve zyrtare të ndeshjeve të Kupës të edicionit 2021/2022, KG ka vërtetuar se lojtari i lartpërmendur ka qenë i ndëshkuar me kartonë të verdhë në  gjysmëfinalen e parëFC Prishtina – FC Llapi, e zhvilluar me datë 07.04.2022, si dhe në finale të Kupës së Kosovës, Fc Drita – Fc Llapi, e zhvilluar me datë 26.05.2022 dhe i njëjti është dashur të pushojë në 1/16 të ndeshjeve të Kupës së Republikës së Kosovës, por të njëjtën nuk e ka respektuar dhe ky është paraqitur në ndeshjen FK Behar – FC Ferizaj, e zhvilluar më 17.11.2022, andaj kemi shkelje të nenit 56 paragrafi 4 të Propozicioneve të Garave: Dënimi automatik për shkak të dy vërejtjeve publike (kartonëve të verdhë) në ndeshjet për Kupën e Kosovës do të ekzekutohet në ndeshjen e parë të radhës për Kupën e Kosovës dhe i cili detyrim nuk është respektuar nga lojtari, prandaj edhe ankesa miratohet si e bazuar dhe ndeshja regjistrohet me rezultat zyrtar 3-0 në favor të FK Behar.

/Gazeta Olle/

Pjesë e parë fantastike nga Anglia, po e “shkatërron” Iranin me epërsi të thellë

Kosova U21 zhvilloi ndeshjen e radhës testuese