Memli Krasniqi kishte paralajmëruar muaj me parë zhvillime të rëndësishme për futbollin

Ish ministri i Sportit, Memli Krasniqi kishte qenë një nga njerëzit kryesorë në ndërkombëtarizimin e sportit kosovar. Gjatë mandatit të tij u arrit qëllimi kryesor që Kosova të anëtarësohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, por edhe në sporte të tjera. Krasniqi pak para se të kryente mandatin në MKRS dhe të merrte timonin e Ministrisë së Bujqësisë kishte dhënë një paralajmërim se në vitin 2015 do të vijnë lajme të mira për futbollin. Këtë e kishte thënë pas një takimi që kishte pasur me kreun e FIFA-s Sepp Blatter.

Ja çfarë kishte thënë ai në një intervistë për Indeksonline:

Para disa javësh unë bashkë me kryetarin e FFK-së, emblemën e futbollit tonë, Fadil Vokrrin kam takuar presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter. Me duhet të rezervohem për temat që kemi biseduar, por ajo që mund të rikonfirmoj tani për tani janë dy gjëra. E para, Kosova ka krijuar shumë miq ndërkombëtar në sport në këto katër vjet dhe Sepp Blatter është një prej tyre. E dyta është se ne kemi pasur muajve të fundit takime intensive e biseda në forma të ndryshme më njerëz që kanë ndikim në futbollin botëror dhe në basketboll. Ata janë miq tanë dhe unë them se kemi arritur në momente finale dhe besoj shumë, duke pasur në mendje zhvillimet e fundit që lidhe me pranimin e KOK-ut në KON, që është krijuar një realitet i ri. Por, duke pasur parasysh edhe bisedat tona dhe koordinimin që e kemi me partnerët tanë, mund të them se për futbollin dhe basketbollin në vitin 2015 do të marrin lajme të rëndësishme. As tash nuk mund të flas me data, por ju siguroj se jemi afër”

Ndryshe sot ka ndodhur një hap historik ku Kosova ka aplikuar për pranim në UEFA dhe janë dhënë detaje se në këtë vit klubet kosovare mund të bëhen pjesë e Ligës së Kampionëve dhe ligave tjera që organizon UEFA.