Meha nuk përjashton mundësinë të lë Kombëtaren shqiptare për Kosovën

Në këtë kuadër, me shpresën se vendimi i organizmave ndërkombëtare do të jetë pozitiv, trajneri i përfaqësueses së Kosovës është shprehur: “Alban Mehën e njoh shumë mirë dhe ai jo rastë- sisht është duke pasur sukses në Turqi.

“Është një futbollist që ka qenë edhe më parë pjesë e planeve të mia, por duke qenë lojtar i Kombëtares së Shqipërisë, e cila ishte në garë për kualifikuese, atëherë nuk kam bërë ftesë për të. Por, ai mbetet gjithmonë i mirëseardhur te Kosova”, ka deklaruar Bunjaki.

Nisur nga kjo thirrje e tij, gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me vetë mesfushorin e Koniasporit, skuadër e cila renditet në vendin e tretë në kampionatin turk. Në ditëlindjen e tij të 30-të (dje), Meha deklaron.

“Po, jam duke e menduar ftesën e Kosovës. Nuk kam folur ende me Bunjakin, por do ta bëj së shpejti diçka të tillë për të parë se çfarë projekti dhe planesh ka për të ardhmen”, është shprehur fillimisht “Snajperi” i Kombëtares. Në një- farë mënyre, me këtë deklaratë, Meha ka pranuar tërheqjen e tij nga Kombëtarja kuqezi, për të cilën ka shpjeguar.

“Nuk po tërhiqem, por duke mos marrë asnjë ftesë dhe mos më kontaktuar askush për të më thënë pse nuk jam në Kombëtare, atëherë jam i detyruar të bëj një lëvizje të tillë. Më së paku e meritoj një shpjegim përse nuk thërritem në Kombëtare dhe uroj të mos jetë për arsye personale të trajnerit.

Kam ndjekur edhe mediat, si mundësi e vetme për të mësuar arsyen, por De Biazi nuk ka thënë asgjë, pasi s’ka se çfarë arsyetimi që të japë për mua. As ai vetë nuk e di përse nuk më fton në Kombëtare”, ka deklaruar Meha për “Panorama Sport”, i cili gjithsesi mbetet me shpresë se do të ketë një ftesë nga kuqezinjtë, përpara se të jetë vonë.