Megzon Visoka: Shorti ishte i favorshëm, përgatitjet do i bëjmë jashtë Kosovës

Shorti ka vendosur që dueli i parë i raundit të 1/8-ës së finales në Kupën e Kosovës të ballafaqoj mes vete dy prej skuadrave më kualitative të Ligës së Parë, A&N dhe Flamurtarin.

A&N është skuadra me serinë më të gjatë të fitoreve radhazi për momentin në futbollin kosovar, shkruan Gazeta Olle.

Prizrenasit qysh prej mesit të muajit nëntor nuk dijnë rezultat tjetër pos fitores, së fundmi ata mposhtën edhe Gjilanin në një duel miqësor.

Trajneri i A&N, Megzon Visoka tregon për “Gazetën Olle” gjendjen dhe objektivat e skuadrës teksa flet edhe rreth shortit të sotëm.

“Kemi filluar me përgatitjet qysh nga 4 janari dhe çdo gjë po shkon sipas planeve, kemi luajtur madje edhe një duel miqësor me SC Gjilanin për të parë formën e futbollistëve, me 27 janar do të zhvendosemi në Durrës për ta kryer edhe atë fazën e fundit të përgatitjeve në mënyrë që të jemi në formë optimale kur kampionati dhe kupa të fillojnë”- u shpreh fillimisht Visoka.

Trajneri i ri pati disa fjalë edhe rreth Flamurtarit, skuadër kjo në të cilën para disa vitesh punonte e tani do e ketë për kundërshtar.

“Shorti na ka vënë përballë një klubi me traditë në futbollin tonë, por duke parë skuadrat e tjera që kanë qenë kundërshtar potencial atëher mendoj se ky është short i favorshëm për ne. Do jetë një ndeshje mjaftë e vështirë, por ne synojmë t’ia dalim dhe të kalojmë tutje”- përfundoi ai.

A&N e mbylli stinorin vjeshtor në pozitën e tretë të Grupit A në Ligën e Parë./GazetaOlle/