Mediat serbe: Futbolli në Serbi u varros këtë fundjavë!

Tashmë kur fundi i edicionit garues është afruar në të gjitha kampionatet e futbollit në Evropë, dyshimet për kurdisje të ndeshjeve kanë mbërthyer shumë shtete.

Larg dyshimeve nuk qëndrojnë as klubet e futbollit në Kosovë. Ka shumë fjalë, por fakte e as klube të dënuara deri më tash jo. Gjithçka mbetet në kuadër të spekulimeve dhe dyshimeve, ndërkohë që nga Prokuroria thonë se vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, e besohet se krejt situatën është duke e vëzhguar edhe UEFA.

Ndërkohë, me kurdisje të ndeshjeve është goditur në masë të madhe futbolli i shtetit fqinj, Serbisë. Madje, mediat e atjeshme me ironi kanë publikuar edhe afishen me lajmërimin e vdekjes së futbollit serb. “Pas 120 vjetësh, shumë uljeve e ngritjeve, shumë gëzimeve e lotëve, me trishtim i themi lamtumirë futbollit serb. Sporti më i popullarizuar në botë u varros në Serbi në fundjavën që e lamë pas. Futbolli serb ka luftuar për një kohë të gjatë, në javët e kaluara ishte në gjendje kritike, por më nuk arriti të mbahej. E shtuna ishte fatale. Tri ndeshjet që u luajtën në këtë ditë e goditën për vdekje”, thuhet në një shkrim të mediave serbe, të cilat shkruajnë për kurdisje të mëdha të ndeshjeve të futbollit në Superligën e këtij shteti.

Sipas mediave në Beograd, ajo çfarë kanë bërë klubet serbe në 2 muajt e fundit përkufizohet me marrëzi.

“Aq shumë kurdisje të paskrupullta nuk janë parë asnjëherë në histori të këtij sporti. Kemi ardhur në një situatë ku nuk mund të na ndihmojë as ‘Calciopoli’. Tani gjithçka është e parëndësishme. Topi është i pakuptimtë, topi është shpuar. Dhe e gjitha për shkak të mbijetesës në Superligë?! I vetmi vend në botë ku “nuk bën” të biesh nga liga është Serbia”, shkruajnë mediat serbe.