Meda: Nuk e kemi sjellë Hajvalinë nga Serbia oj FFK e gjorë

Presidenti i Hajvalisë, Mehedin Përgjegjaj (Meda) ka shpërthyer në akuza pas ndeshjes Hajvalia – Besa (1:3).

Hajvaliasit pretendojnë se janë dëmtuar rëndë nga gjyqtarët në këtë takim. Për Gazetaolle.com, Meda ka reaguar ashpër. Ai e pa ndeshjet nga stadiumi. “Hajvalia nuk mundet që të luaj ndaj FFK-së, gjyqtarëve dhe ekipeve të tjera. Këtu në Kosovë njerëzit punojnë me direktiva të caktuara. Shteti i Kosovës mundet me pas përfitime nga Hajvalia, turp për FFK-në se çka po bënë. Si ka mundësi që të caktohet tri herë i njëjti gjyqtarë. Atij ‘Krrutit’ (Artan Tahirit) duhet me t’i vijë marre që e fut pipin në gojë. Genc Nuzës duhet t’i vijë marre se me çfarë direktivash po punon, dhe çfarë urdhrash ka marrë nga jashtë”, ka thënë Mehedin Përgjegjaj për Gazetaolle.com.

‘Klubet e tjera të fusin në FFK, dajtë, hallat e tezet’

Tutje, Meda vazhdoi me reagime edhe më të ashpra. “KF Hajvalia nuk ka ardhur nga Serbia oj FFK e gjorë. Hajvalia është e Kosovës. Jemi njerëz që po punojmë për të mirën e futbollit, po më vjen turp se çka shikova sot. Do të ishte ndjerë i turpëruar po qe se do të punoja në federatë”.

Meda ndër të tjera zotohet se do ta tërheq Hajvalinë nga garat derisa ka një këshillë edhe për klubet e tjera. “Nuk mundemi më kështu. Do të tërhiqemi përfundimisht nga garat. Kam një këshillë për klubet e tjera që investojnë dhe të japin para. Krahas investimeve të punësojnë në Federatë edhe dajtë, hallat e tezet. Ata janë të korruptuar dhe marrin para”, potencoi Meda. Në fund ai deklaroi se është turp që njerëzit e kësaj federate, të mendojnë për inkuadrim në UEFA e FIFA. (Gazeta Olle)