Meda në tribuna, motivohet Hajvalia

Kryendeshja e javës së 21-të në elitën e futbollit kosovar do të zhvillohet të dielën (nesër) në stadiumin e qytetit në Prishtinë, ndërmjet Hajvalisë dhe Besës së Pejës.

Këto skuadra në këtë edicion e pretendojnë titullin e kampionit. Te Hajvalia kanë besim të plotë në fitore. Kështu të paktën ka thënë para ndeshjes, mbrojtësi Liridon Leci. “Normalisht që presim fitore dhe jam i bindur se pikët do të mbeten në Prishtinë. Besës nuk do ti’ mbetet asgjë tjetër pos që të kërkojë pikë në ndonjë stadium tjetër. Kemi respekt për ta por do t’i mundim”, ka thënë para ndeshjes për Gazetën Olle’, Liridon Leci. “Forca e ekipit tonë është te banka rezervë. Ka konkurrencë në ekip dhe është grup i mirë i lojtarëve”, shtoi Leci.

Ai e zbuloi edhe motivin e hajvaliasve. “Nesër do të kemi një arsye më shumë të fituar, pasi që do të kemi në stadium kryetarin e klubit, Mehedin Përgjegjaj (Meda)”, përfundoi Leci.

Hajvalia ka 32 pikë dhe ndodhet në vendin e tretë, aq sa ka edhe Besa në pozitën e katërt.