Më shumë zyrtarë e mysafirë se sa garues (VIDEO)

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka zbuluar të enjten listën e garuesve kosovarë për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Verore, ‘Baku 2015’, raporton Tribuna Channel.

Kosova për herë të parë do të përfaqësohet në një garë të tillë, pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në atë ndërkombëtar vitin e kaluar.

Listës prej 19 garuesve i prinë kampionia e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi, e cila do të jetë bartëse e flamurit të Kosovës. Ajo nuk do të garojë, shkaku i lëndimit të pësuar muaj më parë.

Krahas Majlinda Kelmendit, nga sporti i xhudos janë edhe Distria Krasniqi, Nora e Akil Gjakova.

Notin e përfaqësojnë Flaka Pruthi, Melisa Zhdrella, dhe Laurit Muja.

Mundja shpreson në medalje tek Kastriot Sedolli, Arlind Curri e Edon Shala. Karatenë e prezanton Alvin Karaqi, kurse nga Federata e Shigjetarisë janë Lirie Sahiti e Hazir Asllani.

Qëndrim Guri do të garojë me biçikletë, derisa shpresat për medalje tek boksi varen nga Armend Xhoxhaj e Naser Shala.

Arbes Tahiri është nga Taekëondo, kurse në shenjë nga federata e këtij sporti do të gjuajnë Lumturije dhe Urata Rama.

Bashkë me garuesit do të jenë edhe nga një trajner dhe kryetari i federatës përkatëse.

Ajo që brengos më shumë është se pjesë e delegacionit janë shumë mysafirë dhe zyrtarë të Komitetit Olimpik të Sportit, të cilët kalojnë numrin e garuesve, kurse kryetari Besim Hasani do të ketë një person të veçantë me veti.

Ndër mysafirët nuk do të mungojë as kryeministri i vendit, Isa Mustafa.

Sidoqoftë, shpresa për medaljen e parë olimpike për vendin tonë nuk zbehet, pavarësisht se Majlinda Kelmendi do të jetë vetëm tifoze.

Nga të gjitha federatat pjesëmarrja i është mohuar vetëm Federatës së Atletikës së Kosovës.

Lojërat Olimpike verore do të mbahen nga 12 deri më 28 qershor në Baku të Azerbajxhanit. (Gazeta Tribuna)