Me lot në sy Aguero i thotë lamtumirë futbollit

Në moshën 33-vjeçare dhe pothuajse pas gati dy dekadave si profesionist, sulmuesi Sergio Aguero që ka shënuar mbi 400 gola dhe ka fituar 21 trofe me skuadra të ndryshme, i ka dhënë fund karrierës.

Tërheqjen e tij nga futbolli aktiv, Aguero e ka konfirmuar të mërkurën në konferencën për shtyp. Ai ka thënë se për shkak të problemeve të zemrës, ishte i detyruar ta marrë një vendim të tillë që nuk ishte aspak i lehtë për të. Aguero në konferencë është paraqitur përkrah kryetarit të Barcelonës, Joan Laporta dhe gjatë tërë kohës ka qajtur. Ai nuk mund të përmbahej nga lotët kur u paraqit në konferencë.

“Kjo konferencë është për t’ju informuar se kam vendosur të ndaloj së luajturi futboll profesionist. Këto janë momente shumë të vështira për mua, por unë jam ende shumë i kënaqur me vendimin që kam marrë përkundër që ishte shumë i rëndë. Në rend të parë është shëndeti im për shkak të problemit që pata një muaj më parë”, ka thënë Aguero. “Isha në duart e mjekëve dhe më thanë se gjëja më e mirë ishte të ndaloja së luajturi. Vendimin e mora 10 ditë më parë. Bëra gjithçka që ishte e mundur për të parë nëse kishte ndonjë shpresë, por nuk kishte shumë. Jam krenar për karrierën time, pasi prej moshës pesëvjeçare kam ëndërruar të luajë futboll. Kam luajtur për ekipe të mëdha në karrierën time dhe i falënderojë të gjitha. Unë, së fundi erdha në një klub të madh dhe ata më trajtuan shumë mirë”.

Në konferencën e mbajtur të Agueros pati të pranishëm shumë personalitete të botës së futboll, përfshirë edhe trajnerin e Cityt, Pep Guardiolan. Aguero para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Barcelonës si lojtar i lirë, por me këtë ekip ndeshjen e fundit e luajti më 30 tetor ndaj Alavesit në kuadër të La Ligas.

Ai ka shënuar një gol në pesë paraqitje për Barcelonën, ndërsa gjashtë karrierës ka luajtur edhe për Manchester Cityn, Atletico Madridin e Independienten. Me Përfaqësuesen e Argjentinës, Aguero ka shënuar 41 gola në 101 ndeshje.

Edon Zhegrova zotohet: S’do të ndalem deri sa të luaj te Barcelona

Elshani: Nuk dorëzohet Feronikeli, mban shpresën se do të zhbllokohet afati kalimtar