Me këto deklarata, Prishtina kërcënon Llapin

Prishtina – Llapi, është njëra nga dy sfidat e nesërme gjysmëfinale në kuadër të DigitAlb Kupës së Kosovës.

Trajneri i Prishtinës, Fadil Berisha, kapiteni Liridon Kukaj dhe talenti Lorik Boshnjaku, janë shprehur optimist për kalim në finale.

“Skuadrën e Llapit e njohim, ka kualitetet e saja dhe kemi thënë që më ndeshje të lehtë nuk ka dhe të gjitha janë të rëndësishme, e sidomos kjo për Kupë ku dhe ne e kemi imperativ të vetëm ta fitojmë trofeun. Na duhet rezultat sa më pozitiv para ndeshjes së dytë. Ne do të hyjmë të luajmë lojën tonë e nëpërmjet saj të arrijmë te fitorja duke mos pranuar gol”, ka thënë shefi i shtabit teknik, Fadil Berisha për prishtinafc.com, raporton GazetaOlle.com.

Më optimist u shpreh Kukaj. “Lojërat për Kupë dallojnë prej atyre të kampionatit. Në Kupë vjen në shprehje më shumë përvoja e ku në këtë drejtim, Prishtina ka përparësi. E dimë që Llapi ka një ekip mjaft të mirë e ku deri vonë ishte në garë për titull dhe tani e ka të vetmin synim, Kupën. Do të jenë dy ndeshje të vështira, dhe ku për mendimin tim vendos më shumë përqendrimi mental, por jam shumë optimist se me angazhimin tonë maksimal, ne do të jemi në finale. E them këtë, sepse kam besim shumë të madh te bashkëlojtarët e mi dhe tek mobilizimi i jonë”, ka thënë Kukaj.

“Ne do të hyjmë për fitore si në çdo ndeshje tjetër edhe pse s’kemi rezultate pozitive, ne përsëri do të tentojmë vetëm fitore, sepse trofeu i Kupës është synimi ynë. Andaj shpresoj që me Llapin të dalim fitues, po ashtu edhe në ndeshjet e mbetura kampionale”, u shpreh Boshnjaku.