Me çka është dëshpëruar Gani Sejdiu, dhe cilën skuadër e favorizon për titull?

Kur e mori Gani Sejdiu drejtimin e Feronikelit, nuk kishte besuar se pas javës së 19-të në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll, skuadra e tij do t’i printe renditjes.

Në një intervistë për Gazetën ‘Olle’, timonieri’ nga Mitrovica zbulon në detaje ‘çelësin’ e suksesit të ekipit nga Drenasi.

Sejdiu konsideron se Prishtina mbetet favoriti kryesor për titull derisa e ka ‘dëshpëruar’ Trepça ’89 e Besa e Pejës. Flet edhe për Hajvalinë, dhe dëshpërimin për mungesën e stadiumit.

Realisht, a keni besuar se do të arrini deri në këtë pikë, lider pas javës së 19-të?

Sejdiu: Realisht, kam besuar se do të kemi sukses, por jo edhe se do të jemi lider. Unë kam një karakteristikë se kam besim në vetvete. Këtë u’a instaloje edhe lojtarëve. Duhet të besojmë në mënyrë që të shkojmë përpara.

Ka ndonjë ‘sekret’ në këtë sukses?

Sejdiu: Së pari kemi krijuar harmoni në klub dhe një koordinim të hatashëm, kryesi – shtabi teknik – lojtarë. Është krijuar një hierarki e punës në mënyrë profesionale dhe askush nuk i përzihet askujt në komeptenca.

E dyta, kryesia ka arritur me na mbështet në aspektin material. Unë me lojtarët kemi raporte të shkëlqyera. Lojtarët kanë liri të intepretimit në fushë, presionin e kemi marrë ne kurse ata po luajnë të lirë. Kam bashkëpunëtor të ngritur si Ramiz Dervishi e Avni Hasani, dhe me ta e kemi ndarë të njëjtën filozofi.

Sa po iu pengon fakti që nuk po luani në Drenas?

Sejdiu: Po na pengon shumë. Duket e pamundur që të luhet kështu. Jam lodhur nga kjo situatë. Luaj në Skenderaj, stërvit në Prishtinë. Ndryshe do të ishte po të luanim në Drenas do të kishe më shumë tifozë e shumë gjëra të tjera.

Ndeshja e ardhshme me Ferizaj…

Sejdiu: Është një ndeshje shumë e vështirë. Ajo çka vlen të përmendet është fakti se nuk kemi alternativë tjetër përpos fitore. Me këto ekipe që janë të rrezikuara për ekzistencë, ndeshjet janë të vështira sepse ato nuk kanë se çka të humbin.

Një vlerësim për ekipet e tjera sa i përket ndeshjeve të para të stinorit pranveror?

Sejdiu: Prej Prishtinës është pritur që të jetë e fuqishme. Prishtina e ka krijuar mentalitetin e titullit. Deri diku edhe Hajvalia ka qenë mirë por jo edhe aq stabile. Besa e Trepça ’89, kanë dështuar. Nuk janë pritur këto rezultatet nga këto ekipe.

Kush mbetet sipas jush kandidati kryesor për titull?

Sejdiu: Padyshim se Prishtina.