Me çfarë probleme po ballafaqohet Shala te Sparta e Pragës?

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Herolind Shala, ka bërë debutimin zyrtar me skuadrën e Spartës së Pragës, pikërisht në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të të kampionatit çek kundër Pribram. 23- vjeçari e nisi si titullar, duke u pozicionuar në krahun e majtë të mesfushës.
Ai u bë protagonist me disa asiste gjatë lojës, ndërsa luajti deri në minutën e 54-t, kur dhe u zëvendësua. Sparta fitoi me rezultatin e thellë 4:1, duke ruajtur vendin e dytë në klasifikim, me vetëm një pikë larg kryesuesit, Viktoria Plzen.
Gjatë fazës përgatitore Shala ka shkëlqyer, duke spikatur edhe si golashënues në miqësoret e zhvilluara. “Jam shumë i kënaqur me aventurën time të re. Shokët e skuadrës më kanë pritur shumë mirë dhe them se po ambientohem. Nëse do mund të gjejë një problem që nga momenti kur kam mbërritur këtu, atëherë do të thosha është gjuha çeke”, ka thënë kosovari.