“Me apo pa OKB, ne do të jemi në UEFA”

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka deklaruar se me apo pa OKB-në, ne do të jemi në UEFA. Në intervistën për Gazetaolle.com, ai thotë se ekipet dhe Përfaqësuesja e Kosovës, tani e tutje nuk do të humbin asgjë, duke paralajmëruar kështu inkuadrimin në shortin e kualifikimeve për Botërorin 2018.

 

Olle: Z.Vokrri si shkoi takimin me krerët e UEFA-s.

Vokrri: Shkoi shumë mirë, e keni parë edhe vetë Platinin, që nuk hezitoi të përgjigjej për media.

 

Olle: Sot dorëzuat aplikacionin për pranim. Kur do të ndodh pranimi.

Vokrri: Nuk ka lidhje kur, e rëndësishme është se me apo pa OKB, me apo pa nenin famoz të UEFA-s, ne do të jemi në UEFA.

 

Olle: Platini tha se ndoshta në vitin 2016 pranohemi. A do ta zëmë Kampionatin Botëror 2018?

Vokrri: Mund të them, se asnjë shancë nuk do ta humbim. Do të pranohemi. Nuk do të humbim asgjë, po ashtu as klubet nuk mund të humbin më asgjë. Momentalisht jemi në gjysmë sezon, dhe nga viti i ardhshëm do të duhet të jenë gati, pas edhe ndryshimeve që do të bëjë FFK.

 

Olle: Sa zgjati takimi me Platinin?

Vokrri: Në përgjithësi ka zgjatur katër orë, bashkë me takimet që kemi pasur me drejtuesit e organizimit të garave, licencimit të klubeve, komisarin e garave, etj. Nuk di si ta përshkruaj, është takim historik.

 

Olle: Aplikacioni ishte i ri, apo e përdorët atë të vitit 1992.

Vokrri: Jo, jo, ishte i ri. Para 5-6 vitesh ne kemi aplikuar edhe në FIFA, dhe një dosje e saj ka shkuar edhe në UEFA. Atëherë na kanë thënë se nuk kemi mbështetjen e duhur, kurse tani situata është ndryshe.