Një arritje e Berat Gjimshitit në ndeshjen e fundit të Atalantës ishte edhe numri i 250 ndeshjeve me këtë fanellë.
Mbrojtësi është kthyer në një lojtar stabël në prapavijën e bergamaskëve dhe këtë ia ka dëshmuar vitet e fundit Gasperinit.
Aq i vlefshëm ishte “Xhimi” për ekipin sa të gjithë gëzuan me të madhe kur ai refuzoi milionat e Katarit për tu pensionuar me një kontratë faraonike. Një shembull në fushë dhe kjo vihet re edhe në lojën që ai ka, sa më i rregullt dhe pozicional, ndërsa i fortë në dyluftime, por gjithmonë pa luajtur pisët.
Berat Gjimshiti në 250 ndeshje me Atalantën nuk është ndëshkuar asnjëherë me karton të kuq. Një arritje më vete kjo për kapitenin e Kombëtares shqiptare, i cili ka zgjidhur çdo situatë në mënyrën e tij dhe deri tani nuk i ka dalë keq. Kujtojmë që vjet, ai ngriti lart trofeun e Ligës së Europës.
Ndërkohë, sa i përket ndeshjeve me Atalantën, Gjimshiti është ndëshkuar me karton të verdhë 44 herë. Ndërsa në karrierën e tij, ai ka provuar dy herë kartonin e kuq, me Kombëtaren kundër Izraelit dhe kur ishte pjesë e Avelinos në Serinë B.